Komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi dhe kryeministri Edi Rama janë shprehur optimistë për nisjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE javën e ardhshme, nëse Maqedonia e Veriut pranon propozimin francez.

Gjatë përurimit të bypass-it të Vlorës të financuar nga BE-ja, komisioneri dhe shefi i qeverisë komentuan mbledhjen e parlamentit në Maqedoni, duke theksuar se ka ende kohë që Shkupi të marrë një vendim.

 

OLIVER VARHELYI

KOMISIONERI PER ZGJERIMIN

“Sytë dhe veshët tashmë i kemi drejt Shkupit dhe duhet të kemi një debat demokratik. Ju keni parë që Von der Leyen ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë…Ta lëmë debatin të shtjellohet dhe pastaj të shprehim qëndrimet.”

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

“Mund të ketë mbaruar një seancë, por në dijeninë time debati do vazhdojë. Dua të shpresoj që rezultati do jetë pozitiv. Nëse do jetë pozitiv, konferenca mund të thirret shpejt. Nëse rezultati nuk do jetë pozitiv, të nesërmen do vazhdojmë të kërkojmë ndarjen e dosjes së Shqipërisë nga ajo bullgaro-maqedonase.”

 

Por vetë komisioneri theksoi se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushte për zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare.

 

 

OLIVER VARHELYI

“Shqipëria është gati për të filluar negociatat dhe nuk ka dyshim, nuk ka pikëpyetje që Shqipëria ka bërë çdo gjë për të arritur. Në vijim ne do të kemi lajmin e mirë, java e ardhshme do të jetë ajo jave që ne kemi kaq kohë që presim.”

 

Përtej problematikës së integrimit, kryeministri Edi Rama replikoi në distancë me të gjithë ata që mendojnë se këtë vit në Shqipëri ka më pak pushues për shkak të çmimeve. Sipas shefit të qeverisë, në 6 muajt e parë numri i turistëve ka qenë më i lartë se në vitet e kaluara, por mbetet për t’u parë si do të jetë situata deri në fund të sezonit.

EDI RAMA

“Nëse ka problem me çmimet e larta, është për tu analizuar në fund. Nëse dikush vendos çmim jashtë logjike dhe nuk i vjen njeri, ky është një dëm që vetes së vet do ia paguajë vetë, nuk do presë që t’ia paguajë shteti.”

 

Bashkimi Evropian ka mbështetur ndërtimin e bypass-it të Vlorës nëpërmjet një granti prej 20 milionë eurosh, ndërkohë që Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim kanë kontribuar me hua prej 18 milionë euro secila për këtë projekt.

Leave a Reply

Your email address will not be published.