Në ndeshjen e fundit kualifikuese për në botërorin e ”Katar 2022”, kombëtarja shqiptare e futbollit regjistroi një fitore mes vuajtjesh edhe pse përballë kishte një kundërshtar modest si Andorra. Kuqezinjtë fituan minimalisht në “Air Albania” falë një goli të Endri Çekiçit në pjesën e dytë.

 

Mungesa e disa prej lojtarëve kyç si dhe stadiumi i boshatisur nga tifozeria, u ndjenë jo pak në ritmin e lojës ku rastet nga te dyja skuadrat ishin të pakta. Pas ndeshjes, protagonisti kryesor i sfidës tha se skuadra ka fituar besim.

 

ENDRI ÇEKIÇI- FUTBOLLIST I KOMBETARES

 

“Ishim pa tifozë dhe e kisha ëndërruar para tifozëve. Shpresoj në të ardhmen të ketë gola të tjerë dhe të festoj më shumë. Në pjesën e parë kishim shanse, na mungoi fati. Neglizhuam pak dhe nuk duhet të ndodhin në ndeshje të tjera, pas humbjes me Anglinë na duhej fitorja për t’u rikthyer më të fortë psikologjikisht dhe për të bashkuar grupin. Gjithmonë goli i parë shkon për familjen, është për mamin më shumë”.

Për talentin Ernest Muci, kjo ndeshje do t thotë shumë pasi debutoi me kombëtaren, ndërsa tregoi emocionet e ndeshjes.

 

ERNEST MUÇI- FUTBOLLIST

 

“Shpresoj që të bëj mirë te klubi im, që të fitoj një vend këtu. Atmosfera është shumë e mirë, shpresoj të jem pjesë e këtij ekipi. Uzuni kishte luajtur nga fillimi dhe kishte luajtur në Angli. Unë isha më i freskët dhe trajneri më tha se duhet të mbroja më shumë”.

 

Si asnjëherë më parë, kuqezinjtë grumbullojnë 18 pikë në një kompeticion të këtij niveli dhe e mbyll e treta në grupin I.

 

Ndërkohë në ndeshjet e tjera, kryesuesja e grupit, Anglia shkatërroi 10-0 San Marinon, ndërsa Hungaria triumfoi 2-1 përballë Polonisë, që e kishte siguruar vendin e dytë një ndeshje më parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *