Deputeti i PD, Tritan Shehu akuzon kryeministrin Edi Rama se e ka kthyer vendin në Republikë Kanabisi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shehu shkruan se sipërfaqet e kultivimit janë shtuar me 50% ndaj vitit të kaluar.

Kanabisi i këtij viti është akoma në përpunim, përpara se të transportohet. Kjo kërkon edhe disa javë. Asgjë nuk është e vërtetë nga sa tha Rama për kanabisin. Përkundrazi kultivimi këtë vit është rritur në mënyrë galopante, së bashku me forcimin e kriminalitetit dhe kriminalizimin e mëtejshëm të institucioneve tona përgjegjëse, qendrore apo lokale.
Guardia di Finanza përfundon më 31 tetor periudhën e identifikimit të sipërfaqeve me kanabis nëpërmjet fluturimeve për këtë vit. Rezultatet e deri tanishme tregojnë të kundërtën e asaj që deklaron Rama. Sipërfaqet e kultivimit janë shtuar me rreth 50% në krahasim me vitin e kaluar. Në Jug, pjesën e Mesme e veçanërisht në Veri të vendit. Ky është realiteti i forcimit të kësaj veprimtarie kriminale.
Kjo është edhe si pasojë e “mbajtjes së premtimeve elektorale” të Rilindjes ndaj grupeve kriminale, për mbështetjen e tyre gjatë zgjedhjeve të 25 Prillit. Shqipëria është kthyer kështu në një Republikë Kanabisi!”, shkruan Shehu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *