Subscribe

Rritja në mënyrë të vazhdueshme e normës bazë të interesit për lekun nga ana e Bankës së Shqipërisë rrezikon të fusë vendin në recession ekonomik.

 

Këtë paralajmërim bëjnë ekspertët e ekonomisë, të cilët e shohin me risk ndërhyrjen e Bankës Qendrore për shkak të frenimit të investimeve.

 

MATEO SPAHO

EKSPERT PER EKONOMINE

“Banka e Shqipërisë dhe BQE duan të ulin sasinë e parasë që është në qarkullim, duke rritur normën bazë të interesit, të ulin nivelin e inflacionit duke lënë më pak para në qarkullim. Duke ndaluar apo zvogëluar investimet dhe duke i bërë njerëzit të konsumojnë më pak. Nga ana tjetër kjo ka një rrezik domethënës në zvogëlimin e rritjes ekonomike dhe një rrezik për recesion. Tentativat për të frenuar inflacionin, nga njëra anë duhet të përshëndeten, por nga ana tjetër, duhet të jenë të kujdesshme sepse rrezikojnë të krijojnë një vorbull të krizave ekonomike, që Evropa ka pasur mjaftueshëm.”

 

Një tjetër rrezik me të cilin mund të përballemi në të një të ardhme jo shumë të largët, sipas Mateo Spahos, është edhe rritja e nivelit të kredive të këqija.

 

MATEO SPAHO

EKSPERT PER EKONOMINE

“Unë kam dyshimet e mia nëse po ecim në drejtimin e duhur sepse niveli i kredive të këqija është rritur dhe me këto premise rrezikojnë të rriten. Bankat shqiptare janë ende të sigurta, por një rritje e kredive të këqija mund të rrisë stresin e tyre. Do të rrezikojmë që edhe produktet bankare, shërbimet që ato ofrojnë, të na kushtojnë më shumë. Inflacioni në vendin tonë është i importuar dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë japin shtysë vetëm mbi lekun dhe jo mbi euron. BSH kërkon në njëfarë mënyre që të presë bishtin, kur problemi është koka.”

 

Kreditë e këqija do të rriten, shpjegojnë më tej ekspertët, sepse me vendimin e fundit të Bankës së Shqipërisë për të çuar normën bazë të interesit në 3%, qytetarët do të duhet të paguajnë më shumë në këstet e tyre mujore, por nga ana tjetër, nuk kanë aftësi paguese.

 

MATEO SPAHO

EKSPERT PER EKONOMINE

“Këto rritje nuk vijnë menjëherë sepse bankat kanë kontrata të caktuara, me të cilat ato krijojnë një hapësirë 3-6 muaj rezervë, por pas 3-6 muajsh do të kemi një rritje të normës bazë të interesit në xhepat e qytetarëve. Për të folur hapur, nëse ju keni marrë rreth 10 milionë lekë të rinj kredi për 20 vjet kthim, atëherë do të kemi me 0.25%, rreth 30-40 mijë lekë të vjetra shtesë kësti në muaj, rreth 500 mijë lekë të vjetra në vit.”

 

Që prej muajit mars të vitit të shkuar, Banka e Shqipërisë ka rritur disa herë normën bazë të interesit me qëllim për të luftuar krizën e çmimeve dhe për të rikthyer inflacionin në objektiv.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *