Kryeministri Edi Rama ka dënuar sulmin në fshatin Varragë të komunes së Zubin Potokut si rezultat i të cilit u dëmtua kanali i ujit të Ibër-Lepencit, nga i cili furnizohen disa qytete të Kosovës.
Në një postim në rrjetin social X, theksoi se kjo godtje kriminale duhet zbardhur sa më parë dhe autorët duhen ndëshkuar me mbështetjen e partnerëve ndërkombetarë.
Lexo edhe :
Related Posts
“Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian”, shkruan Rama.
Pas kësaj ngjarjeje të rëndë në Kosovë, kryeministri Rama theksoi se është koha që Bashkimi Evropian të heqë sanksionet e vendosura mbi Prishtinën zyrtare.
“Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë”, shkruan shefi i qeverisë.
Pas sulmit në veri të Kosovës, kreu i shtetit Bajram Begaj zhvilloi një bisedë telefonike me Presidenten Vjosa Osmani. Begaj dënoi aktin terrorist dhe vuri në dukje se Shqipëria mbështet përpjekjet e Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e autorëve të këtij akti terrorist./vizionplus.tv







