Shpërthimet të cilat dëmtuan Nord Stream 1 dhe 2 kanë shtuar tensionet mes Moskës dhe Uashingtonit. Liderët e BE, NATO-s, por edhe Rusisë kanë deklaruar se dëmtimi nuk ishte një aksident, por sabotazh.

 

Lëvizja surprizë erdhi nga Moska e cila njoftoi nisjen e hetimeve për terrorizëm ndërkombëtar, ndërsa Perëndimi ka lënë të kuptohet se kjo mund të jetë vepër e Rusisë.

 

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se dëmtimi i tubacioneve ka ndodhur një zonë, që kontrollohet plotësisht nga agjencitë e inteligjencës amerikane dhe ato duhet të kenë një shpjegim.

 

MARIA ZAKHAROVA

 

ZËDHËNËSJA E MINISTRISË SË JASHTME RUSE

 

Vendi ku ndodhi incidenti është zona ekskluzive ekonomike e Danimarkës dhe Suedisë, ku është e përqendruar NATO. Vende që janë të mbushura me armë të prodhuara nga SHBA dhe që kontrollohen plotësisht nga agjencitë e inteligjencës amerikane, të cilat kanë të gjithë kontrollin e situatës atje.

 

Një ditë më parë Kremlini i quajti marrëzi aludimet se pas sulmeve mund të qëndrojë Moska, duke shtuar se gazi me vlerë miliarda dollarë që u derdh në det ishte pronë e Rusisë. Gjithashtu kjo e fundit bëri të ditur se ka thirrur një mbledhje të Këshillit të Sigurimit për këtë çështje.

 

Duke iu referuar zyrtareve europiane të sigurisë, mediat perëndimore shkruajnë se pranë zonës së shpërthimeve janë vërejtur lëvizje të anijeve mbështetëse të marinës ruse. Nëndetëset ruse u vunë re gjithashtu në zonë javën e kaluar.

 

Ndërkohë sot roja bregdetare e Suedisë ka identifikuar rrjedhjen e katërt të gazit në Detin Baltik. Sipas autoriteteve daneze tashmë gjysma e gazit, që ndodhej në tubacion tashmë është derdhur  dhe ndërhyrja për hetime të mëtejshme, do të kërkojë edhe pak kohë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *