Policia e Prrenjasit ka arrestuar dy persona, si përgjegjës për shpërthimin që ndodhi pak ditë më parë në Prrenjas.

 

Kjo ngjarje, u fsheh nga policia, e cila pas raportimit të mediave doli me një njoftim sikur ngjarja kishte ndodhur ditën e djeshme.

 

Por sot, në një tjetër reagim, blutë bëjnë me dije se në verandën e lokalit të shtetasit Dh.k nuk është vendosur lëndë plasëse, por granatë dore.

 

Si rezultat i kësaj, në pranga ranë R. K., 23 vjeç dhe A. P., 41 vjeç, të dy banues në Prrenjas dhe me precedent kriminal në Itali dhe Shqipëri.

 

Librazhd/Zbardhet ngjarja e ndodhur në Prrenjas.

 

Nga hetimet rezultoi se në verandën e lokalit të shtetasit Dh. K., nuk është hedhur lëndë plasëse tritol, por një granatë dore.

 

Identifikohen dhe vihen në pranga 2 shtetas, si autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje.

 

Njëri prej të ndaluarve, me precedent të theksuar kriminal, në Shqipëri dhe në Itali, për vepra penale në fushën e krimeve ndaj personit dhe pronës.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd,  nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gyqësor Elbasan, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, në vendngjarje, me qëllim grumbullimin e çdo prove për zbardhjen dhe dokumentimin e kësaj ngjarjeje, identifikuan, shoqëruan dhe ndaluan  shtetasit:

 

-R. K., 23 vjeç dhe A. P., 41 vjeç, të dy banues në lagjen Nr. 2, Prrenjas, Librazhd. Nga veprimet hetimore të deritanishme rezulton se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorët e dyshuar të hedhjes së një granate dore, në verandën e lokalit të shtetasit Dh. K.

 

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 2 aparate celulare.

 

Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të motivit dhe të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme hetimore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *