Kryeministri i Papua Guinesë së Re, James Marape u zotua sot t’i japë fund “anarkisë” pasi 15 njerëz vdiqën gjatë një nate trazirash të dhunshme, zjarrvënie dhe plaçkitje në dy qytetet më të mëdha të vendit.

Incidentet shpërthyen në kryeqytet, Port Moresby, të mërkurën mbrëma pasi oficerët e ushtrisë, policisë dhe burgut demonstruan kundër qeverisë për një shkurtim të pagave të tyre që autoritetet ia atribuuan një problemi “teknik”.

Turma të furishme u vunë zjarrin ndërtesave dhe plaçkitën dyqanet në qytetin e Leigh, 300 km në veri të kryeqytetit.

Komisioneri (ushtrues i detyrës së shefit) i Policisë Mbretërore të Papua Guinesë së Re, David Manning, konfirmoi sot se të paktën 15 persona kanë vdekur në dy qytetet më të mëdha të vendit.

Sipas rrjetit televiziv australian ABC, tetë persona u vranë në kryeqytet dhe shtatë në Leigh.

Kryeministri Marape u kërkoi falje qytetarëve, ndërsa theksoi në të njëjtën kohë se këto shpërthime “anarkie” nuk do të “tolerohen”.

“Ky është vendi juaj po aq sa i imi”, por “shkelja e ligjit nuk do të lejojë arritjen e asnjë qëllimi”, tha ai gjatë një konference për shtyp.

Duke iu referuar trazirave, Marape siguroi se më e keqja kishte kaluar këtë mëngjes, duke pranuar megjithatë se “situata është ende e tensionuar” në disa rrethe të Port Moresby.

“Dita më e zezë”

Guvernatori i qarkut, Powes Parkop, vlerësoi se trazirat e djeshme ishin “të paprecedentë” në Port Moresby. Për gazetën Post Courier, dje ishte “dita më e zezë” që qyteti ka përjetuar ndonjëherë./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *