Subscribe

20 persona kanë rënë në prangat e policisë së kryeqytetit, pasi shpërndanin lëndë narkotike pranë shkollave dhe ambienteve që frekuentohen nga të rinjtë. Ndërkohë që 4 të tjerë janë shpallur në kërkim.

 

Zyrtarë të policisë kanë përfunduar operacionin e koduar me emrin “Harta”, që u finalizua me shkatërrimin e dy grupeve, që merren me shitje e lëndëve narkotike.

 

Gjatë operacionit janë sekuestruar 2 kg kokainë, 300 doza kanabis, 130 doza heroinë si dhe një shumë parash, 11 automjete dhe 29 aparate celularë.

 

“Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas  në bashkëpunim me njëri-tjetrin vepronin të ndarë në grupe të vogla  dhe shpërndanin lëndë narkotike në zona të ndryshme të Tiranës dhe Kamzës, afër shkollave, lokaleve të natës e ambienteve të tjera të frekuentuara nga të rinjtë.  Po nga hetimet rezulton se prestarët e këtyre grupeve kriminale përdornin mesazhe të koduara dhe kryesisht qarkullonin me automjete të transportit publik për të shmangur kontrollet e befasishme të Policisë”, u shpreh Tonin Vocaj drejtor i policisë së Tiranës

 

Sipas të dhënave të policisë personat e arrestuar ishin të organizuar në dy grupe, ndërsa ata ishin nën vëzhgim pre tre muajsh.

 

“Pas një hetimi tremujor, me metoda speciale të hetimit nga Specialistët për Hetimin e  Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë Tiranë, u siguruan prova ligjore për dokumentonin e veprimtarisë kriminale të dy grupeve që përbëheshin nga 24 persona”, u tha në deklaratë.

 

Sipas kreut të policisë tiranë, gjatë 3 muajve të parë të këtij viti janë finalizuar 5 aksione në bashkëpunim me Prokurorinë dhe janë sekuestruar mbi 6 kilogramë kokainë e heroinë dhe rreth 80 kilogramë kanabis, si dhe janë vënë në pranga mbi 20 persona .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *