Qeveria shqiptare do të shpërblej për festat e fundvitit familjet dhe individët e kategorizuar në skemën e programit social.
Vendimin e bëri me dije ministrja e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Albana Koçiu pas mbledhjes së qeverisë.
“Për 275 mijë familje dhe individë që përfitojnë nga skemat e programit social, janë pikërisht 15 mijë lekë apo 150 euro që i akordohen familjeve në nevojë, fëmijëve pa kujdes prindëror, individëve që kanë statusin e para apo tetraplegjikë, si edhe statusin e të verbërve. Për herë të parë këtë vit marrin shpërblimin edhe kujdestarë e këtyre personave që përfitojnë nga skema e Mbrojtjes Sociale. 18 mijë ndihmës dhe kujdestarë për personat me aftësi të kufizuar do të marrin shpërblimin e fundvitit. Është një fond i akorduar nga buxheti i shtetit dhe është afro 2.1 miliardë lekë”, tha Koçiu.
Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj u shpreh se qeveria ka një plan masash për zhvillimin e sipërmarrjes inovative.
“Plan masash për zhvillimin e sipërmarrjes inovative, për rritjen e inovacionit, në 6 sektorët të caktuar të identifikuar në strategjinë kombëtare: turizëm, energji, bujqësia, ICT, BPO. Kanë shumë nevojë për rritje të produktivitetit. Do ndikojmë në çeljen e tregjeve për bizneset në rrugën drejt BE-së. Ditët e fundvitit janë të fundit për aplikimin e grant 2025, fond i dhënë për start-up, të cilat operojnë për zhvillimin e bizneseve të tyre”, deklaroi Delina Ibrahimaj.
Sipas Ibrahimaj, qeveria ka financuar 94 start-up në 2024, ndërsa në vitin 2025 do financohet një numër më i lartë. Thirrja për grante mbyllet më 5 janar.





