Afrimi i zgjedhjeve parlamentare ka shtuar dozën e shkëmbimit të akuzave mes mazhorancës dhe opozitës. Por, përveç partive të mëdha dhe aleatëve në 25 prill, disa subjekte të reja do të bëjnë betejën e tyre .

Endri Shabani nga nisma Thurje u shpreh në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus se synimi i kësaj force politike është ringjallja e shpresës dhe futja në Parlament e zërit të qytetarëve të papërfaqësuar.

“Betejë e vështirë sepse ne kemi burime të limituara. Por edhe e lehtë, se askush nuk është aq i pasur sa të blejë të shkuarën e tyre. Partitë e vjetra ofrojnë rikthim në 8 a 16 vitet e fundit. Ne po i lëmë partitë e mëdha dhe të vjetra që të luftojnë me njëra-tjetrën. Gjëja më e rëndësishme për ne është të ringjallim shpresën; kemi përgatitur manifestin politik, kartën 2020. Ka tre shtylla kryesore:

1.Fuqizimi i institucioneve, duke dobësuar kryetarët dhe duke krijuar një stabilitet funksional.

2.Kalimi nga një demokraci përfaqësuese në një demokraci pjesëmarrëse.

3.Solidariteti kombëtar, një projekt për riorganizim. Shoqëria shqiptare sot është shthurur; kemi krijuar një realitet ku jetojmë në komunitete që nuk janë për askënd. Jemi vënë kundër njëri-tjetrit, ka nevojë për riorganizim.”

I pyetur se më kë do të bashkëpunojë pas 25 prillit, nëse mbështetja me votë e qytetarëve arrin të prodhojë mandate, Shabani theksoi se nuk do të bëjë koalicione me askënd.

“Ne do të donim të bashkëpunonim me ata që nuk e kanë vjedhur Shqipërinë, nuk i kanë vjedhur shqiptarët dhe ende nuk kanë paguar për këto. Është vështirë të gjejë njerëz që nuk kanë vjedhur shqiptarët në këto 30 vite. Ata ende nuk i kanë larë hesapet me shqiptarët, koalicioni i vetëm që do të bëjmë është ai me qytetarët. Nuk do të bëjmë koalicione me askënd. Do të qëndrojmë në opozitë. Do të jemi në Parlament për të përfaqësuar zërin e qytetarëve të papërfaqësuar.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *