Pezullimi i vizave nga SHBA ka qenë një tjetër pikë e diskutuar këtë të enjte në studion e Quo Vadis, të moderatores Pranvera Borakaj, në Vizion Plus.
I ftuar në studio, gazetari Armir Shkurti theksoi se ne në Shqipëri kërkojmë që të jemi menjëherë në agjendën e SHBA-së.
Sipas tij, SHBA ka bërë llogaritë e veta ekonomike para se të marrë vendimin.
Pjesë nga biseda:
Shkurti: Ne jemi në agjendën e atij grupi që punon për Shqipërinë. Por një gjë duhet të jetë e qartë: SHBA nuk çohet në mëngjes e të thotë “çfarë bëjnë ata atje?”. Ata shohin në bazë të interesit të tyre. Kur unë shoh se 41% e shqiptarëve kanë përfituar, më vjen shumë mirë. SHBA, duke e parë nga ana e vet, thotë që këta nuk duhet të përfitojnë nga qytetarët e mi. Ne jemi në agjendë, por nuk jemi në agjendën e tyre siç duam ne.
Basha: Ne ngrihemi çdo mëngjes e themi se tha Trumpi kështu, e tha Trumpi ashtu. Shqiptarë dhe kosovarë në SHBA janë gati 1 milion. Por janë 75 vende, i bie diku te 35 milionë që përfitojnë atje. Nuk ka lidhje me Shqipërinë, ka lidhje me politikat e brendshme. Sa herë opozita i bën llogaritë me këto çështje qesharake, ka humbur pikë.





