Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar se do të shkarkojë ekipin e drejtuesëve të kompanisë për kontrollin e fluturimeve “M-NAV” (Macedonian Navigation) pas një incidenti të ndodhur të enjten në mbrëmje në ambientet e kësaj agjencie në aeroportin e Shkupit.

Një i punësuar në kompaninë “M-NAV” ka hyrë i shoqëruar me disa persona të tjerë në zyrat e Agjencisë ku ka sulmuar në mënyrë verbale punonjësit, teksa një pjesë e medias dhe punonjës të agjencisë flasin edhe për një sulm fizik, por kjo ende nuk është konformuar nga organet e rendit. Kjo ngjarje ka nxitur debate lidhur me sigurinë e kontrollit ajror në vend.

Ndërhyrja e paautorizuar e zotit Bekim Neziri ka vënë në rrezik sistemin ajror, sipas ekspertëve. Të paktën një avion në ato çaste priste të fluturonte nga aeroporti i Shkupit dhe një tjetër pritej të ulej.

Incidenti ka ndodhur pas parajamërimeve të e Sindikatës së Agjencisë për Kontrollin e Fluturimeve për dorëheqjen e disa prej kontrollorëve, për shkak të punësimeve në baza partiake dhe në këtë institucion, sipas tyre.

Drejtuesi i Sindikatës së M-NAV, Aleksandar Tasevski akuzon drejtorinë për trysni ndaj punonjësve pas pakënaqësive rreth një konkursi për punësim. Ai po ashtu hedh akzua për punësime pa kriter si dhe për mashtrime me financat.

Pagesat në këtë agjenci janë më të lartat se në çdo institucion tjetër në vend. Zoti Tesavski flet edhe për probleme që kanë të bëjnë me protokollin e sigurimit të Agjencisë. Ai kërkon që sigurimin e M-NAV ta marrë në kontroll policia maqedonase.

“Nëse nuk do të zbardhet deri në fund incidenti, atëherë mund të vijë deri tek mbyllja e plotë e hapësirës ajrore”, paralajmëron kryesindikalisti i kontrollorëve të fluturimit, Tasevski. Kontrollorët kanë paralajmëruar pak kohë më parë se do të hidheshin në grevë për shkak të parregullsive në këtë agjenci.

Drejtor i përgjithshëm i Agjencisë M-NAV është Faredin Hamidi. Duke folur në një konferencë shtypi të premten ai e cilësoi incidentin si një “ngjarje të pakëndshme”.

“Nuk mund të flas më tepër për shkak se tanimë policia po heton rastin”, tha ai. Nga ana tjetër, zoti Hamidi bëri akuza ndaj kryetarit të Sindikatave, Tasevski, duke thënë se është ai që fletë për nepotizëm është punësuar në këtë kompani nga babai i tij dhe se një vëlla tjetër i punon në të njëjtën kompani.

Policia, ndërkohë ka marrë sot në pyetje Bekim Nezirin dhe tre të dyshuar të tjerë, pa e zbuluar identitetin e tyre. Policia lë të kuptohet se bëhet fjalë për tetë sulmues. Zoti Neziri ka qenë Ministër i Ekonomisë nga radhët e Bashkimit Demoratik për Integrim (BDI). Aktualisht ai është kryetar i degës së Çairit në Shkup për këtë parti.

BDI-ja përmes një komunikate thekson se incidenti që tentohet t’i atribuohet padrejtësisht asaj, “është rezultat i marrëdhënieve të cënuara dhe rënduara midis kolegëve në një mjedis pune dhe nuk ka asnjë lidhje të vetme me çështje politike e aq më pak me BDI-në”.

Kjo forcë politike bën thrrje që rasti “të trajtohet nga institucionet e shtetit me seriozitetin më të madh”.

Ndërkohë, qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se në seancën e radhës që do të mbahet të martën do të shkarkojë drejtorët e Agjencisë për Kontrollin e Fluturimeve (M-NAV) dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të kompanisë, ndërkohë që u bën thirrje Prokurorisë Publike, Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Entit Shtetëror të Auditimit, Policisë Financiare dhe organeve ndërkombëtare për kontrollin e trafikut ajror që të bëjnë revizion të plotë të punës së Agjencisë M-NAV.

Delegacioni Evropian dhe ambasada perëndimore po ashtu kanë dijeni për këtë ngjarje./VOA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *