Drejtuesi opozitar maqedonas, Hristijan Mickovski, shkroi në rrjetin Facebook se është arritur marrëveshja për një shumicë të re parlamentare. Ai nxori edhe një fotografi ku duken së bashku me Sekretarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi, kryetarin e partisë E Majta, Dimitar Apasiev dhe Sekretarin e Lëvizjes Besa, Arianit Hoxha.

 

“Po vjen një e ardhme e re, një kohë e re dhe shpresë e re. Na presin sfida të forta; të vetëdijshëm për mbështetjen, së bashku do t’ia dalim”, shkroi ai në postimin e tij.

 

Shumica e pjesëmarrësve në këtë takim kanë pohuar po ashtu arritjen e marrëveshjes. Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate dhe BDI-ja ende nuk kanë bërë komente.

 

Gjatë ditës së premte, kreu i VMRO-së, Mickovski kishte njoftuar se po mblidhte nënshkrimet e deputetëve për shumicën e re. Aleanca dhe Alternativa (ASH-A), të cilët dolën në koalicion me VMRO-në në zgjedhjet e fundit lokale, patën pohuar që në kohën e fushatës se “do të formonin një shumicë të re parlamentare pa Bashkimin Demokratik për Integrim”. ASH-A kanë 12 vende në parlament; Lëvizja Besa, 3. E majta ka 2 ligjvënës, ndërsa VMRO-ja, 44.

 

Këto zhvillime janë rrjedhojë e dorëheqjes së paralajmëruar nga kryeministri Zoran Zaev, menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, më 31 tetor, megjithëse, ai ende nuk e ka dorëzuar atë në parlament.

 

Kabineti i Presidentit të vendit, Stevo Pendarovski, u ka thënë para pak ditësh mjeteve të informimit se Presidenti, në rast se miratohet dorëheqja e zotit Zaev në parlament, do t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë atij që garanton formimin e shumicës parlamentare (prej 61 deputetësh në parlamentin me 120 vende).

 

Nga ana tjetër, një pjesë e ekspertëve dhe analistëve vlerëson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të pashmangshme.

 

Me gjithë fitoren e thellë të VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet e fundit lokale, partitë e koalicionit qeveritar kanë më shumë vota në shkallë vendi. Vetëm BDI-ja mori mbi 105 mijë vota për listat e anëtarëve të Këshillave Komunalë, ndërsa Aleanca me Alternativën pak mbi 50 mijë sosh./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *