Subscribe

Partia e kryeministrit Zoran Zaev ka dorëzuar në parlament projektligjin për ndryshimet kushtetuese në përputhje me marrëveshjen e Prespës, per të cilat të hënën do të nisë shqyrtimi.

 

Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski bëri të ditur se debatet në kuvend mund të zgjasin më shumë se 2 muaj.

 

“Jam i bindur se të gjithë deputetët, në mënyrë integruese do të marrin pjesë në debatin për amendamentet e parashtruara për të plotësuar procesin që na çon drejt BE-së dhe NATO-s. Mund të duhen rreth 2 muaj kohë për shqyrtimin e tyre”

 

Nga ana tjetër, edhe partitë shqiptare në opozitë të cilët votuan pro ndryshimit të emrit, kanë parashtruar kërkesat e tyre për korrigjimin e disa neneve të cilat do të përmirësonin pozicionin e shqiptarëve në Maqedoni.

 

Por një gjë e tillë është kundërshtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili bën të qartë se amendamentet shtesë që nuk janë pjesë e marrëveshjes së Prespës, nuk do të pranohen.

 

Propozimet do të shqyrtohen dhe në Komisionin për Çështje Kushtetuese, por që ndryshimet kushtetuese të hyjnë në fuqi, projektligji do të kalojë edhe 2 herë në votim në parlament.

 

Të hënën pritet të diskutohet edhe kërkesa e 8 deputetëve të përjashtuar nga VMRO-DPMNE që votuan pro ndryshimeve kushtetuese, për të formuar një grup parlamentar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *