Shkrihet dega e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Njësinë 10, për t’iu bashkuar Partisë Socialiste.

Drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, u shprehu mirë se ardhjen ish-anëtarëve të LSI, ndërsa theksoi se dera është e hapur edhe për shumë të tjerë.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se PS është një familje e madhe, e që nuk diskriminon askënd.

“E vlerësoj shumë këtë bashkim, më mirë vonë se kurrë, por ajo që ju premtoj është se PS-ja do të jetë një derë e hapur dhe një familje që nuk diskriminon. Në PS nuk të thotë askush kush je ti e kush jam unë sepse ne të gjithë, në një moment të jetës sonë kemi bërë eksperimentet tona. Rëndësi ka që e kuptuam se ajo që na bashkon është shumë më e rëndësishme dhe më e madhe se ato që na ndajnë. Interesi i familjes sonë të madhe është më i rëndësishëm, është më i madh se interesi i një familje të vogël, ku partinë e merr një herë burri e një herë gruaja, pastaj burri ia lë gruas, pastaj gruaja ia kthen prapë burrit. Nuk kemi kohë për të humbur! Shprehja ‘bashkimi bën fuqinë’ të vlejë edhe për Njësinë 10, ashtu siç jemi bashkuar me shokë e kolegë të tjerë”, nënvizoi Veliaj.

Më tej, ai foli edhe për Lulzim Bashën, për të cilin tha se qytetarët e mbajnë mend si njeriun që “nuk nguli asnjë gozhdë” gjatë kohës që ishte kryetar bashkie.

“Kandidon për kryeministër një njeri që del nga shtëpia pa kartë identiteti, kurse e shoqja nuk voton fare sepse ka pashaportë të huaj. Nuk kemi ç’të presim nga këta njerëz, i kemi provuar disa herë. Ne e provuam edhe Saliun, edhe Ilirin, edhe Monikën, edhe Lulin në bashki, i ngeci sahati dhe trami s’erdhi kurrë. E provuam edhe në ministri të rendit, ku u vranë 4 vetë me plumba në mish m’u në mes të rrugës, për bllokun e Ilir Metës. E provuam edhe te ‘Rruga e Kombit’ ku humbën 300 milionë euro dhe ai thoshte nuk vij se jam sëmurë me diarre, 3 vjet raport.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *