Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar për 31 raste të konfirmuara me koronavirusin e ri në 24 orë, si dhe për pesë të shëruar nga ky virus.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, pesëmbëdhjetë (15) raste nga komuna e Ferizajit (sipas vendbanimit: dhjetë (10) raste Ferizaj, tre (3) raste Mirash, një (1) rast Mirosal dhe një (1) rast Kosinë), nëntë (9) raste nga komuna e Vitisë ( sipas vendbanimit: tre (3) raste Viti, tre (3) raste Gushicë dhe tre (3) raste Pozharan), dy (2) raste me vendbanim në Prishtinë dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Miradi e epërme-Fushë Kosovë, Skenderaj, Vojnovc-Shtime, Sllatinë-Leposaviq dhe Zubin Potok”, është thënë në njoftim.

Duke marrë parasysh të dhënat e fundit, deri më tani në Kosovë është raportuar për 480 persona të infektuar me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Në mesin e tyre, 84 pacientë janë shëruar, ndërsa 12 persona kanë vdekur.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *