Qytetarët e një prej zonave industriale të Tiranës, në Prush, do të kenë një shkollë të re, me kushte më bashkëkohore. Erion Veliaj tha se shkolla do të ndërtohet tre herë më e madhe se godina ekzistuese.
“Nëse do kishte medalje olimpike për shkollat e reja, Bashkia e Tiranës do ishte patjetër fituese. Kemi ndërtuar mbi 44 shkolla të reja. Sot shkojmë në një shkollë totalisht moderne, siç janë edhe gjithë shkollat e tjera. Siç kemi bërë “Bedri Llagamin”, ashtu do bëjmë edhe shkollën “Ibrahim Hima”. Do të shkojmë nga një shkollë e ndërtuar në vitet ’60, pra 64 vite më parë, në një shkollë me standardet e vitit 2024”, tha Veliaj.
Veliaj u ndal edhe tek protesta që opozita zhvillon para bashkisë, duke thënë se nuk i intereson pakica që bën zhurmë.
“Mua më intereson shumica e heshtur, jo ajo pakicë që bën zhurmë dhe lë jahtin në pushime, për të ardhur e protestuar e për të thënë atë refrenin banal: ‘E duam aty ku ishte ,siç ishte’. Aty ku ishte patjetër, por shumë herë më të madh dhe shumë herë më të bukur. Si me parimin e teatrit, aty ku ishte, por diçka ultra moderne, kështu edhe për shkollën. Do ndërtohet këtu ku është, por shumë më moderne, me një sipërfaqe më të madhe, me ambiente dinjitoze, jo me furrikun që shërben për nevojat personale, jo me ferrat që rrethojnë shkollën, pa hapësira sportive. Aty ku ishte, por shumë herë më të madhe, shumë herë më të bukur dhe shumë herë më të fortë”, theksoi ai.
Shkolla e re do jetë një mundësi më shumë për fëmijët e zonës që duan të zhvillojnë dhe kurse sportive pas përfundimit të orëve mësimore. /vizionplus.tv





