Subscribe

Në shtator të këtij viti shkolla e Baletit në kryeqytet do të hapë dyert për 230 artistë të rinj me një ambient krejtësisht të ri. Kur kanë mbetur edhe pak nga përfundimi i rikonstruksionit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pa nga afër punimet dhe u shpreh i kënaqur me ritmet por dhe cilësinë.

 

“Jam vërtet i kënaqur që kolegët e bashkisë punuan shumë fort gjatë gjithë verës, edhe në temperatura të larta, që të dilnim faqebardhë dhe teksa afron shtatori, të kemi një Shkollë Baleti që ndoshta ka cilësi edhe më të mirë se Liceu Artistik. Sigurisht, pas çdo pune, mësojmë se puna e radhës është akoma më e mirë. Kjo është ndoshta një nga të vetmet shkolla në Shqipëri e cila është e gjitha e kondicionuar, me foni të brendshme, me parket Harlequin dhe 6 salla kërcimi. Kemi ofruar një shkollë jashtëzakonisht dinjitoze, komuniteti gjithashtu ka përfituar një hapësirë e cila do të jetë për koncerte, për aktivitete, për shfaqje, që mund të përdoret gjithashtu edhe nga komuniteti në kohën e lirë dhe besoj i ka shtuar vlerën gjithë kësaj zone”.

 

Sipas Veliajt, përmes këtij investimi është rritur edhe kërkesa e prindërve për të regjistruar fëmijët e tyre në këtë shkollë. Gjithashtu Kreu i Bashkisë kërkoi mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tregtarëve të cilët janë vendosur pranë oborrit të ketij institucioni që të zhvendosen në tregjet e licencuara.

 

“Prindërit shikojnë që nuk janë më ato kushtet spartane ku janë trajnuar yjet e baletit shqiptar, por tani edhe kushtet janë në të njëjtin nivel si talenti i atyre që vijnë dhe konkurrojnë për Shkollën e Baletit. Perimetri i kësaj shkolle fatkeqësisht është kthyer në një hapësirë tregtimi rrobash të përdorura. Kjo nuk është dinjitoze, ndaj Policia Bashkiake do të bëjë detyrën e vet, por unë shpresoj shumë që do të kemi mirëkuptim që ata që shesin dhe tregtojnë në ambientet e Shkollës së Baletit, të kuptojnë që kjo është një shkollë, një institucion arsimor, dhe jo treg rrobash. Nëse duan treg, ai është vetëm 50 metra më larg, ndaj nuk e mirëkuptoj histerinë e atyre që sulmojnë Policinë Bashkiake”.

 

Rikonstruksioni i shkollës së Baletit përfshin rregullimin e fasadës, hidroizolimin e tarracës, rikonstruksioni total të nyjeve sanitare, rrjetit hidraulik por edhe dhomat e zhveshjes.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *