Tradita e garave me biçikleta në mes nxënësve të shkollave 9 vjeçare është rikthyer sërish në Shkodër.

 

Një e tillë është organizuar paraditen e së shtunës në by-passin e qytetit nga shoqata e çiklizmit Vllaznia, në bashkëpunim me Zyrën Arsimore Rajonale, Bashkinë Shkodër dhe Qendrën Kulturore të Fëmijëve.

 

Kanë marrë pjesë në këtë garë rreth 50 nxënës dhe në fund fitues i saj është shpallur Bekim Tafili i shkollës “Ruzhdi Daca”, në vend të dytë u rendit Arsid Teli i shkollës “Ndre Mjeda” dhe në vend të tretë Riad Muça po i shkollës “Ruzhdi Daca”.

 

Trajneri i çiklizmit i Vllaznisë, njëkohësisht edhe organizator i këtij aktiviteti, Leonat Kola, në një prononcim për mediat është shprehur se qëllimi ishte rritja e pasionit të nxënësve për biçikletën dhe njëkohësisht përzgjedhja e elementeve më të mirë për ekipin e Vllaznisë. Dhe në fakt duket se kjo garë e ka bërë efektin e vet menjëherë.

 

Fituesi i saj, Bekim Tafili është shprehur se e ka shumë pasion çiklizmin dhe do t’i bashkohet menjëherë ekipit të Vllaznisë.

 

Aktivitete të tilla pritet të rikthehen tashmë në traditë për t’u zhvilluar çdo vit sepse përpos faktit që i jep gjallëri jetës sportive në qytet, shërben edhe për promovimin e elementëve cilësorë që nesër a pasnesër mund të përfaqësojnë denjësisht Shkodrën dhe Shqipërinë në gara kombëtare dhe ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *