Shkodra përkujtoi 33-vjetorin e masakrës së 2 Prillit 1991, ku mbeten të vrarë 4 dëshmorët e demokracisë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, si dhe u plagosën mbi 100 të tjerë. Familjarë, qytetarë të Shkodrës dhe përfaqësues të partisë demokratike vendosen kurora me lule dhe kryen homazhe në memorialin kushtuar kësaj ngjarje.

Lideri i opozitës Sali Berisha për herë të parë mungoi në 2 prill në Shkodër për shkak të arrestit në shtëpi, por ai përkujtoi këtë ngjarje tragjike me një video mesazh.

“Të dashur miq, Artan Broci, Bujar Bishanaku, Nazmir Kryeziu dhe Besmir Ceka ranë në lule të rinisë së tyre, por sakrifica e tyre u shndërrua në dritë, në rrugën e shqiptarëve për zgjedhje të lira”, tha Berisha.

Por Sali Berisha dhe demokratët që e mbështesin u mblodhën në Shkodër pas humbjes së 14 majit, kur qytetarët e kësaj bashkie vendosën ti besojnë për herë të parë nga viti 91 Partisë Socialiste

 “Ne këtë vit, për herë të parë nga ajo datë, i nderojmë me kokën e ulur. Sepse përsëri në maj të vitit që shkoi, pasardhësit e bllokmenëve hoxhistë, Edi Rama dhe suita e tij i rrëmbyen Shkodrës votën dhe fitoren”, tha Berisha.

Në emër të familjarëve, vëllai i Arben Brocit dhe mbesa e Bujar Bishanakut kërkuan që kjo ngjarje të mos harrohet.

Në këtë ceremoni ra në sy pjesëmarrja e Jorida Tabakut, e cila për herë të parë merr pjesë në një aktivitet të liderit të opozitës Sali Berisha prej 9 shtatorit të vitit 2021.

4 viktimat e 2 prillit për herë të parë në 33 vite i nderuan edhe socialistët.  Kryetari i bashkisë së Shkodrës Benet Beci, i cili përkujtoi edhe demonstratën e Postribës, u rishfaq këtë herë për të nderuar 2 Prillin bashkë më kryetarin e këshillit bashkiak Oltion Luli. Të ndarë këtë ngjarje e përkujtuan edhe grupimi i Lulzim Bashës, në emër të të cilit u vendos kurora me lule nga anëtari i kryesisë Xhemal Bushati dhe kreu i degës së PD Xhevdet Amuli./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *