Në emisionin “Quo Vadis”, ish-kryeministri, Sali Berisha, mohon në mënyrë kategorike që djali i tij të ketë shkelur ligjin. Ai thekson se Shkëlzen Berisha është i gatshëm të dalë para drejtësisë, për cilëndo çështje, por kurrë nuk do të provohet asgjë që e lidh atë me ndonjë aferë.
“Po marrim Shkëlzen Berishën, është thirrur e ta thërrasin 100 herë. Më e keqja e të këqijave është të imagjinosh, të mohosh të drejtën e hetimit. E kanë thirrur, ka dhënë sqarime dhe të garantojë se edhe 100 vite po të hetojnë, kurrë nuk do të gjejnë një lidhje të vetme të Shkëlzen Berishës për atë që e kanë thirrur. Shkëlzen Berisha është thirrur sepse është djali i Sali Berishës, sepse porosit Edi Rama, por kjo nuk më detyron mua që të denoncojë thirrjen e tij, jo t’a thërrasin”, tha ai.
Berisha thekson se nuk ka asnjë gjasë që hetimet të kthehen në akuza penale ndaj të birit, me argumentin se ai nuk ka asnjë lidhje që e implikon.
“Kurrë, sepse ekziston zero, zero, zero. Shpifje dhe trillime të kuzhinës së Edi Ramës, për të cilat duan ta fajësojnë, por që s’munden kurrë sepse s’ka asnjë lidhje. Shkëlzen Berisha ka çuar çështjen e tij, ndoshta është shqiptari i vetëm, në Gjykatën Supreme të SHBA”, thekson ai.
Shkëlzen Berisha është thirrur nga SPAK, si person që mund të ketë dijeni për çështjen e Gërdecit.