Subscribe

Një grup i strukturuar kriminal, që merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës, është shkatërruar nga Prokuroria e Posaçme dhe autoritetet italiane.

 

Në total nga SPAK janë lëshuar 21 urdhërarreste, nga të cilat 20 janë ekzekutuar, ndërsa një person është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

 

Prokurori i SPAK, Vladimir Mara, bëri publike detaje nga ky megaoperacion, duke thënë se ky grup kriminal siguronte drogë nga Siria drejt Turqisë e më pas e transportonte në Shqipëri me destinacion fianl Greqinë, Italinë etj.

 

Sipas tij, droga është sekuestruar në Shqipëri, por edhe në vendet e rajonit.

 

Janë vendosur gjithsej 21 masa të sigurimit personal nga këto 20 janë ekzekutuar ditën e sotme kurse një person është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Janë sekuestruar prova të shumta materiale. Ajo çfarë është më e rëndësishmja është se të gjitha sekuestrimet e lëndëve narkotike janë kryer në territorin e RSH-së, Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe në Itali.

 

Prokurori Mara tregoi gjithashtu mënyrën sesi grupi kriminal arrinte që të trafikonte drogën.

 

Drogërat vinin me kamion që transportonin sende të ligjshme. Droga futej në vende të fshehura brenda në mjet që nuk kapeshin as nga skenari.

 

Në mesin e të arrestuarve është edhe efektivi i kufirit, Marash Gjoni, i cili dyshohet se kishte lidhje me grupin e trafikantëve.

 

Punonjësi i Policisë së Shtetit ishte pjesë e drejtorisë kufitare të Shkodrës, është korruptuar nga trafikantët.

 

Ndër të tjera SPAK tha se janë kryer disa operacione për goditjen e këtij grupi.

 

Arrestimet e bëra lidhen me sekuestrime të lëndëve narkotike të sekuestruara më herët, atë të vitit 2021 në Durrës ku u sekuestruan 30 kg kanabis në formë çokollate. Gjatë të njëjtit vit, janë sekuestruar 15 kg heroinë në Kakavijë, 17 kg heroinë në Shkodër, 14 kg kokainë në Shkodër, 65 kg kanabis në Maqedoni të Veriut dhe 21 kg kokainë në Milano. 

 

Vlera e drogës së sekuestruar arrin deri në 2.7 milionë euro. Krahas akuzave SPAK ka nisur edhe hetimin pasuror të të arrestuarve, ndërkohë që disa prej anëtarëve rezultojnë të arrestuar edhe më herët në fushën e narkotikëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *