Një grup kriminal është shkatërruar nga autoritetet spanjolle në provincën e Valencias. Organizata kriminale ishte e drejtuar nga shqiptarë dhe merrej kryesisht me trafik ndërkombëtar të kokainës.

Nga operacioni janë sekestruar më shumë se 820 kilogramë kokainë dhe 17 persona janë arrestuar, duke përfshirë ‘kokën’ e grupit, i njohur për kontaktet e tij në Amerikën Latine, Evropë dhe Dubai.

Nga kontrollet e kryera janë sekuestruar edhe 226 500 euro cash, tre aparate për zbulimin e pajisjeve elektronike GPS, dhe 13 automjete.

Operacioni është zhvilluar prej dymbëdhjetë muajsh dhe janë kryer tre faza ekzekutimi. Hetimi nisi në fillim të vitit 2023 pasi u mësua për ekzistencën e një organizate kriminale që, e drejtuar nga shtetas shqiptarë me banim në Valencia, i dedikohej trafikut të kokainës në shkallë të gjerë si dhe pastrimit të parave.

Fillimisht u identifikua drejtuesi i organizatës, i cili drejtonte disa kompani me bazë në Spanjë.

Hetuesit identifikuan më pas edhe anëtarët e tjerë të rrjetit kriminal, gjë që i lejoi ata të specifikonin strukturën si dhe zbulimin e disa shtëpive luksoze dhe magazina industriale në pjesë të ndryshme të Valencias që organizata kishte në dispozicion.

Më pas policët lokalizuan edhe një lavazh që përdorej nga rrjeti kriminal si qendër, pasi aty bëheshin mbledhjet kryesore për të shpërndarë funksionet dhe për t’u dhënë udhëzime anëtarëve të grupit.
Të arrestuarit janë dërguar në paraburgim, ndërsa ndaj tyre është dhënë masa paraprake, ‘arrest me burg’.

Gjithashtu, hetuesit arrestuan edhe anëtarë të organizatës të ngarkuar me sigurimin e logjistikës dhe infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e veprimtarisë së paligjshme, duke menaxhuar kontratat e qirasë së pronave të ndryshme të kontrolluara. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *