Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj reagoi për operacionin ndërkombëtar “LOS BLANCOS” që shkatërroi grupin kriminal të drogës, që drejtohej nga një shqiptar. Lleshaj e vlerësoi operacionin si një sukses që sipas tij, tregon besueshmëri dhe pjekuri.

 

“Finalizimi i suksesshëm sot i Operacionit ‘LOS BLANCOS’ në 10 vende nën koordinimin e EUROPOL, në të cilin mori pjesë aktive edhe Policia e Shtetit, është një tjetër sukses i rëndësishëm, që provon edhe një herë pjekurinë dhe besueshmërinë e lartë të saj në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare. Shkatërrimi i një grupi shumë të sofistikuar kriminal të përbërë kryesisht nga shqipfolës dhe kapja e një sasie të madhe kokaine dhe parash është një goditje e paprecedentë ndaj krimit të organizuar”, tha ministri në “Facebook”.

 

Duke shprehur mirënjohjen për vendet e tjera që morën pjesë në operacion, Lleshaj shtoi se krimi i organizuar goditet vetëm nëse ka bashkëpunim ndërkobëtar.

 

“Ky operacion dëshmon edhe një herë nevojën e madhe, por dhe dobinë e jashtëzakonshme që ka bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën ndaj krimit të organizuar, i cili mund të luftohet me sukses real vetëm kur agjencitë e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë ngushtë në nivel operacional. Si sot.”

 

Gjatë operacionit “LOS BLANCOS” u prangosën dhjetë shqiptarë, pesë në Shqipëri dhe pesë jashtë vendit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *