Suella Braverman është shkarkuar nga detyra e sekretares së Shtetit për Punët e Brendshme në qeverinë angleze.

 

Downing Street  ka konfirmuar që  James Cleverly të jetë pasardhësi i saj në detyrë. Ndërkohë Devid Cameron është rikthyer në qeveri ku do të mbajë postin e ministrit të Jashtëm.

 

Vendimi i kryeministrit Rishi Sunak vjen pas kritikave të Braverman për protestat pro Palestinës në Londër, duke i cilësuar pamjet e turmave që mbushën rrugët si “shqetësuese”.

 

Suella Braverman ka reaguar pas shkarkimit të saj  nga detyra  . Ajo u shpreh se do të flasë në kohën e duhur, duke nënkuptuar se nuk ka në plan ta kalojë shkarkimin e saj në heshtje.

 

“Ka qenë privilegji më i madh i jetës sime të shërbeja si sekretare. Do të kem më shumë për të thënë në kohën e duhur” deklaroi ajo.

 

Javën e kaluar Braverman e quajti protestën pro-palestineze të së shtunës një “marsh urrejtjeje” dhe akuzoi policinë se ishte e njëanshme dhe kishte një linjë më të ashpër kundër protestave të djathta. Braverman u përball me thirrjet e laburistëve për të dhënë dorëheqjen ose për t’u shkarkuar pas përleshjeve të dhunshme midis policisë dhe grupeve të krahut të djathtë.

 

Ajo ka qenë shpesh në qendër të kritikave edhe për reagimet e saj të ashpra ndaj emigrantëve veçanërisht atyre shqiptarë. Deklaratat e saj kanë bërë që edhe qeveria shqiptare të reagojë disa herë duke i kundërshtuar ato.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *