Gati dy muaj, pas shkarkimit të Gledis Nanos nga posti i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, debatet mes mazhorancës dhe opozitës vijojnë të jenë të “nxehta”.

 

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka qenë i pranishëm në Komisionin e Sigurisë, ku ka folur për buxhetin e vitit 2023 për punonjësit e policisë, por edhe mbështetjen financiare që do i japin AKSH-it, pas sulmeve kibernetike në vendin tonë.

 

Por mbledhja ka nisur me debate të forta.

 

Deputeti demokrat Ferdinand Xhaferraj ka kërkuar arsyen e shkarkimit të Gledis Nanos duke i kujtuar edhe statusin e ambasadores Yuri Kim që e cilësonte partner të fortë të SHBA.

 

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u shpreh se statusi lidhet me punën e Nanos si drejtor i Antiterrorit ndërsa justifikon vonesën për tu paraqitur në Komision duke thënë se priste raportin nga FBI dhe Microsoft për sulmet kibernetike.

 

Pjesë nga debati:

 

Ferdinand Xhaferraj: Nuk dua të ndodhem para situatave të pakëndshme që të më ndërprisni fjalën. Nga 13 shtatori, kemi kërkuar, 1/3 kemi kërkuar prezencën në mënyrë urgjente të ministrit të Brendshëm lidhur me situatës së rendit dhe shkarkimin e Gledis Nanos. E kërkuam këtë seancë urgjente sepse po atë ditë, aleati ynë strategjik, SHBA, ambasadorja Yuri Kim, në një status qartësonte se Nano ishte partner i fortë me shumë kontribute. Nëse nuk ishin interesat e aleatit strategjik, kush ishin interesat që e shkarkuan?

 

Xhemal Qefalia: Sot jemi për të diskutuar për buxhetin. Të vazhdojmë me rendin e ditës se i shërben dhe kohës në dispozicion.

 

Bledi Çuçi: Pa dashur t’ju marr kohë nga rendi i ditës, vetëm 2 sqarime shumë të thjeshta për këtë çështje. Shkarkimi dhe emërimi i drejtorit të Përgjithshëm është administrative dhe çdo procedurë është bërë sipas ligjit. E dyta, lidhet me partneritetin tonë, me SHBA. Ju garantoj dhe jam i bindur që edhe ju e dini po kaq mirë se s’ka asnjë përplasje me partnerin tonë strategjik. Ata kanë bërë falënderim për ish drejtorin dhe i kushtohet pjesës kur ka qenë drejtor i Antiterrorit dhe ka pasur lidhje më të ngushtë në atë pozicion. Nuk ka asnjë përplasje, madje asnjë korrespondencë lidhur me këtë gjë, kështu që nuk ka asgjë okulte sepse çdo shkak duhet të ketë dhe pasojën nëse duhet të ketë një situatë okulte që mbështjell këto lëvizje. Është çështje pa rëndësi për opinionin publik. Kam ardhur për sulmin kibernetik. Po pres raportin e FBI dhe Microsoft dhe doja të vija me raport profesionistësh e të mos flisnim me çfarë kemi parë deri tani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *