Shkaktarë të ndezjes së zjarreve, arrestohet një person! Nis hetimi për dy të tjerë

Policia e Vlorës ka identifikuar dhe ndëshkuar autorët e zjarrvënieve në qark, duke vënë në pranga një person dhe duke proceduar penalisht dy të tjerë.
Tre rastet e regjistruara në Lukovë, Bolenë dhe Tragjas kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqe pyjore, ullishte dhe tokë me bimësi, kryesisht si pasojë e pakujdesisë.
NJOFTIMI:
Lukovë/Ndalohet një 43-vjeçar që shkaktoi zjarr nga pakujdesia, duke hedhur cigaren në tokë. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë bënë ndalimin për veprat penale “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, për shtetasin B. A., 43 vjeç, banues në fshatin Lukovë. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, më datë 10.08.2025, në vendin e quajtur “Lapardha”, pasi ka konsumuar cigare, e ka hedhur në tokë dhe nga pakujdesia ka shkaktuar zjarr, ku si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 30 rrënjë ullinj, si edhe një sipërfaqe toke me shkurre dhe ferra.
Bolenë/Procedohet penalisht një 34-vjeçar, i dyshuar për djegien e një sipërfaqeje toke me shkurre, bimësi dhe pisha. Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, pas veprimeve hetimore, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimin penal për veprën penale “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”, për shtetasin E. T., 34 vjeç, banues në fshatin Bolenë. Ky shtetas dyshohet se më datë 09.08.2025, në afërsi të varrezave të fshatit, ka ndezur zjarr për pastrimin e kullotës që kishte në përdorim dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe disa pisha.
Tragjas/Procedohet penalisht një 58-vjeçar, i dyshuar për djegien e një sipërfaqeje toke me bimësi. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Orikum referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, për shtetasin G. Gj., 58 vjeç, banues në fshatin Tragjas. Ky shtetas dyshohet se është autori i zjarrvënies së datës 08.08.2025, në fshatin Tragjas, ku u dogj një sipërfaqe me bimësi. Materialet procedurale për këto raste i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




