Sot shënohet 26 vjetori i çlirimit të Kosovës. 26 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, hynë në Kosovë.
Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, njoftoi amerikanët se ushtria dhe policia serbe po tërhiqen nga Kosova.
“Unë mund t’i raportoj popullit amerikan se kemi arritur një fitore për një botë më të sigurt, për vlerat tona demokratike dhe për një Amerikë më të fortë. Pilotët tanë janë kthyer në bazë. Sulmet ajrore janë pezulluar. Agresioni ndaj një populli të pafajshëm është frenuar dhe po kthehet prapa”, tha ai përmes një deklarate.
Sipas tij rezultati do të jetë siguria dhe dinjiteti për popullin e Kosovës.

“Duhet të kujtojmë se dhuna të cilës iu përgjigjëm në Kosovë ishte kulmi i një fushate 10-vjeçare të Sllobodan Millosheviçit, liderit të Serbisë, për të shfrytëzuar dallimet etnike dhe fetare për të imponuar vullnetin e tij në tokat e ish-Jugosllavisë”, tha ai.
Njëzet e gjashtë vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Më 12 qershor 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë, në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.





