Jo vetëm Vatikani, Prishtina e Shkupi, por edhe Rio de Jeneiro e Manhatan flasin këtë javë me gjuhën e humanistes shqiptare Nënë Tereza. Pas vendosjes së shtatores së Nënë Terezës në Rio de Janeiro, edhe në Manahatan është gati të vendoset një statujë në bronz Terezës së Kalkutës. Në parkun Battery të Manhatanit, shqiptarët prej 4 shtatorit do të kenë mundësinë ta nderojnë figurën e saj përmes këtij monumenti, që prej tre muajsh është punuar dhe porositur nga shqiptarët në Amerikë. Edhe Tirana do të nderoje shqiptaren që misionin e saj ia kushtoi njerëzve të varfër dhe të sëmurë. Aktivitetet nisin prej datës 2 shtator ne shtëpinë e motrave te Nene Terezës per te vijuar me katër shtator kur pllaka përkujtimore, madje edhe ato të dëmtuarat që ndodheshin në sheshin “Nënë Tereza”, do të janë gati të rivendosen nga Bashkia e Tiranës. Edhe pse sezoni i teatrove nuk është hapur zyrtarisht në Tiranë, artistët e Teatrit të Operas së bashku me studentët më të mirë të Akademisë së Arteve do të ofrojnë më datë 4 shtator në sheshin “Nënë Tereza” një koncert mjaft të veçantë. Më e rëndësishmja, ceremonia e shenjtërimit nga bazilika e Shën Pjetrit në Vatikan, do të mund të ndiqen drejtpërdrejt nga ekrane të mëdhenj që do të vendosë Bashkia e Tiranës, në sheshin që mban emrin e saj. Aktivitetet në emër të humanistes shqiptare mbyllen më 7 shtator në orën 19:00, kur është parashikuar të shfaqet një film për Nënë Terezën te instalacioni “Reja”. Ndërkohë edhe Posta Shqiptare në nder të Nënë Terezës ka emetuar një pullë të veçantë për këtë ngjarje të rëndësishme për gjithë shqiptarët.