Jo vetëm në ditën e shenjtërimit të misionares Shën Tereza, por në çdo kohë përkujtohet  kontributi, mesazhi dhe veprat që la pas shenjtorja e përbotshme shqiptare.

 

“Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe.”- kjo është një shprehje e Nënë Terezës ku sot të gjithë gjejnë frymëzim, por që dëshmon se çdo mision dhe vepër e mire e saj në dhjetëra vende mori jetë nga kjo ndjenjë e pastër.

 

Mesazhet e Nobelistes së Paqes, për klerikët katolikë sot janë edhe më aktuale se dikur, pasi globalizmi po diferencon edhe më shumë shoqëritë.

 

XHORXH FRENDO

ARKIPESHKV I ARKIDIOQEZES METROPOLITANE TIRANË-DURRËS

“Mesazhi i Nënë Terezës sigurisht është bërë më i rëndësishëm sot se sa në atë kohë.  Jemi në një shoqëri zbavitëse, një shoqëri që po bëhet gjithmonë më anonime dhe indiferente. Kemi nevojë për atë urti të Nënë Terezës që të shohim dinjitetin e atij emigranti dhe fatkeqësisht vendet më të pasura në Europë i shikojnë si peshë.”

 

Në këtë ditë, artefakte të misionares katolike U ekspozuan për publikun, ku për herë të pare u prezantua letra origjinale e vitit  ’89 që i drejtohej presidentit të atëhershëm Ramiz Alia.

 

ARDIT BIDO

DREJTOR I PERGJITHSHEM I ARKIVAVE

“Na rezulton se në 1989 ajo ka pasazhe shqip në këtë letër që është shumë  e rëndësishme jo thjesht se ka pasazhe shqip. Për mua një fjali nga kjo letër është shumëçka është simbolikë shumë e rëndësishme për shenjtërinë dhe shqiptarinë e Nënë Terezës, përmbledhur perfekte në një fjali të vetme unë ja kam dhënë besën e shqiptarit zotit me prue dashni.”

 

Ekspozita do të jetë qëndrojë në qendrën për zhvillim dhe dialog në Kryeministri.

 

ERIDANA ÇANO

DREJTORESH E COD

“Meqenëse jam në një kohë pandemie sot nga mëngjesi që jemi hapur deri në orën 9 të darkës, ekspozita do të jetë e mundur për ta pare live dhe më pas do të jetë e projektuar sonte, nesër dhe pasnesër ne fasadën e kryeministrisë nga ora 8 e mbrëmjes deri ne mesnatë.”

 

Dëshira e Nënë Terezës për të ardhur në Shqipëri u përmbush në gusht të vitit 1989.  “Secila nga ne është krijuar për të bërë vepra të mëdha” është një nga shprehjet e fundit te Shën Terezës, por veprat, jetimoret, e shkollat e hapura prej saj janë ende një strehë për shumë njerëz të pamundur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *