Shëndetësia merr “pjesën e luanit”/ Buxheti i vitit 2021 orientohet te përballimi i pandemisë

Nga 1 janari i vitit 2021 mjekët dhe infermierët do të marrin një pagë 40% më të lartë, familjet me ndihmë ekonomike do të marrin dyfishin e pagesës që marrin sot dhe qytetarët që preken nga Covidi do t’u rimbursohen ilaçet. Me këto argumente, kryeministri Rama ka mbrojtur buxhetin për vitin e ardhshëm si një ligj që i garanton Shqipërisë çdo mjet financiar njësoj si shtetet e tjera në betejën kundër koronavirusit.
EDI RAMA
ReklamëKRYEMINISTER I SHQIPERISE
“ Në buxhetin e 2021 ne do të vazhdojmë atë që nis në pak ditë mbështetjen me financë të recetës bazë dhe futjes në skemë për t’u rimbursuar të të gjithë medikamenteve, dhe në funksion të të prekurve nga Covid-19. Paralelisht ne do të dyfishojmë ndihmën ekonomike, dyfish, për periudhën kur na duhet të përballemi me pandeminë.”
Nga ana tjetër shefi i qeverisë ka lajmëruar se shteti shqiptar ka kryer tashmë pagesën paraprake për Covaxin në mënyrë që vendi ynë të përfitojë vaksinën kundër koronavirusit sapo një e tillë të jetë gati. Por kjo nuk është e vetmja përpjekje për të sjellë vaksinën në Shqipëri.
“Po ashtu jemi në komunikimin të përditshëm me BE, kam pasur një bisedë të gjatë me presidentin e komisionit, me disa nga kryeministrat, para se të vija këtu me kancelarin e Austrisë për të garantuar qartësi dhe siguri për aksesin në vaksinimin e popullsisë duke pasur parasysh që vaksina do të dalë, por sasitë që do të jenë të disponueshme nuk do të jenë të tilla që të mbulojnë menjëherë të gjithë popullsinë.”
Lideri i mazhorancës ka mbrojtur sërish spitalet shqiptare duke theksuar se në betejën kundër koronavirusit ato kanë të njëjtat standarde si vendet më të zhvilluara.
“Për të mos folur tani brenda familjes që nuk shkojmë ne, në Turqi dhe për një arsye shumë të thjeshtë, sepse për këtë sëmundje nuk ka asgjë jashtë Shqipërisë që nuk është në Shqipëri, asgjë fare. As ndonjë protokoll, as ndonjë aparature. “
Por, ndërsa ka shpjeguar masat e marra nga qeveria në betejën kundër Covid-19, lideri mazhorancës ka akuzuar opozitën se po përdor pandeminë si mjet për të ardhur në pushtet.
“Ëndrrës që Covid të bëjë atë që ata nuk e realizuan dot, që të kalli mes shqiptarëve dëshpërimin dhe ta kthejë këtë dëshpërim në gjenerator lufte kundër qeverise, është një jehonë që tregon dembelizmin kronik mendor të atyre që kujtojnë se mund të vijnë në qeveri deri duke përdorur si aleat Covidin, kjo nuk do të ndodhë.”
84 deputetë votuan pro buxhetit, i cili tashmë i shkon presidentit për t’u firmosur, por edhe nëse kryetari i shtetit vendos ta kthejë pas në parlament siç ka ndodhur edhe në vitet e tjera, shumica ka mjaftueshëm kohë për ta rivotuar para se deputetët të marrin pushimet e dimrit.




