Më shumë se 4000 njerëz u evakuuan nga shtëpitë e tyre nga autoritetet ruse në rajonin e Orenburgut të Uraleve për shkak të përmbytjeve që ndodhën pas shembjes së një dige në Orsk.

“4,208 persona, përfshirë 1,019 fëmijë, u evakuuan”, njoftoi shërbimi për shtyp i guvernatorit rajonal, Denis Pasler, në Telegram.

Në total, më shumë se 2500 shtëpi janë përmbytur në këtë rajon, i cili kufizohet me Kazakistanin, thuhet në një njoftim për shtyp.

Ata që u larguan nga zona u transferuan në qendra të përkohshme strehimi, shpjegoi Pasler në një mesazh tjetër, duke njoftuar pagesën e ndihmës financiare urgjente.

Përmbytjet ndodhën një ditë pasi shpërtheu një digë në Orsk, një qytet në kufi me Kazakistanin, tha zyra e prokurorit rajonal.

Sipas të njëjtit burim, një paralajmërim i është dhënë autoritetit komunal të Orsk në mars, në lidhje me “shkeljen e legjislacionit për mbrojtjen e popullsisë dhe territoreve nga emergjencat natyrore dhe ato me origjinë njerëzore”.

Siç theksojnë autoritetet rajonale, diga, e cila është shembur pjesërisht, është projektuar zyrtarisht për një nivel të lumit Ural prej 5.5 metrash krahasuar me 9.6 metra aktual. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *