Pas Europës, edhe SHBA po përballet ashpër me shpërthimin e pandemisë së koronavirusit. Miliona njerëz janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi ndërsa numërohen 784 të vdekur dhe rreth 55 mijë persona të infektuar. Në këto kushte, senati amerikan ka miratuar një paketë ekonomike prej 2 trrilionë dollarësh për të ndihmuar familjet dhe bizneset në përballimin e krizës.

 

MITCH MCCONELL

LIDER I SHUMICES NE SENAT

“Më në fund ne kemi një marrëveshje, pas ditësh diskutimesh të vështira senatorët ranë dakort për paketën e lehtësimit të ekonomisë duke injektuar një shumë historike prej 2 trrilionë dollarësh. Në të vërtetë, kjo është një shkallë investimesh si në kohe lufte për kombin tone. Ky është një lajm shumë i mirë për mjekët dhe infermierët në të gjithë vendin që kanë nevojë për më shumë fonde dhe pajisje mbrojtëse, siç janë maskat, për t’u kujdesur për pacientët me koronavirus, si dhe për familjet që presin të marrin pagesat.”

 

Paketa e ndihmës synon nxitjen e ekonomisë amerikane duke siguruar pagesa të drejtpërdrejta për më shumë se 90 për qind të amerikanëve dhe një grup të gjerë biznesesh.

 

Në Iran gjendja paraqitet dramatike, 2077 pacientë kanë humbur jetën ndërsa rreth 27 mijë të tjerë janë infektuar. Presidenti i vendit ka bërë të ditur ashpërsimin e masave në kufizimin e qarkullimit.

 

Ndërkohë India është mbyllur në shtëpi për 21 ditë me radhë. Kryeministri Narendra Modi ka urdhëruar rreth 1.3 miliardë njerëz të qëndrojnë mbyllur për të parandaluar një katastrofë të shëndetit publik.

 

“Nëse këto 21 ditë nuk menaxhohen si duhet, atëherë vendi ynë rrezikon të kthehet 21 vite pas.”

 

Deri tani në Indi numërohen 10 të vdekur dhe 562 persona të infektuar me covid-19.

 

Edhe kontinentet e tjera kanë shtuar masat për të parandaluar sëmundjen.

 

Pandemia e koronavirusit i ka marrë jetën më shumë se 20 mijë personave në të gjithë botën, ndërsa numri i të infektuarve i tejkalon 400 mijë.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *