SHBA vendos masa të ashpra kundër oligarkëve ruse

Marrëdhëniet diplomatike SHBA-Rusi vijojnë të mbeten të tensionuara. Vendimi më i fundit i administratës Trump ka përcaktuar sanksione ndaj shtatë manjatëve rusë, 12 kompanive dhe 17 zyrtarëve të lartë qeveritarë, duke përfshirë aleatët kryesorë të Presidentit Vladimir Putin. Kjo masë vjen si një ndëshkim për politikat destabilizuese të Rusisë në të gjithë botën. Shtëpia e Bardhë deklaroi se do të ndihmonin që oligarkët rusë që përfitonin nga aktivitetet destabilizuese të Kremlinit, të përballen me pasojat për veprimet e tyre.
Zyrtarët nga Departamenti i Thesarit Amerikan përmendën pushtimin e Krimesë nga Rusia, destabilizimin e Ukrainës Lindore, mbështetjen për qeverinë siriane të Bashar al-Assadit, “aktivitetin e vazhdueshëm keqdashës kibernetik” të Moskës dhe “sulmet e vazhdueshme të Rusisë për të sabotuar demokracitë perëndimore” si shembuj që justifikojnë politikën malinje te Moskës.
Ata shtuan se oligarkët kanë nxjerrë përfitime nën regjimin e Putinit dhe luajnë një rol kyç në programin e tij keqdashës. Sanksionet do të bllokojnë të gjitha pronat e oligarkëve që janë nën juridiksionin e Shteteve te Bashkuara dhe amerikanëve do t’u ndalohet të bëjnë biznes me kompanitë dhe personat mbi të cilët po vihen sanksione. Kjo lëvizje vjen pasi Britania, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të NATO-s dëbuan mbi 150 diplomatë rusë, në shenjë solidariteti për helmimin me një agjent nervor të ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia në Britani. Britania ka fajësuar Rusinë për helmimin.
Rusia ka mohuar të ketë rol dhe ka dëbuar një numër të njëjtë diplomatësh perëndimorë. Hetimet ende nuk kanë bërë të qartë burimin e agjentit nervor Novichok, ndërsa së fundmi është bërë e ditur se ish agjenti rus Sergei Skripal ka dalë nga koma dhe nuk është më në gjendje kritike ashtu sikurëse edhe vajza tij Yulia.




