Subscribe

 

 

Ndihmës sekretari amerikan  i Shtetit për Europën dhe Euroazinë Wess Mitchell e ka nisur me Kosovën turin e tij ballkanik i cili do të zgjasë deri më 17 mars. Pasi ka takuar  presidentin Hahim Thaçi, në një konferencë të përbashkët për shtyp, ndër të tjera, Mitchell ka theksuar domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut me Serbinë, si dhe ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

 

 “Fakti që udhëtimi im i parë në rajon fillon me Kosovën dëshmon se Shtetet e Bashkuara kanë miqësi shumë të mirë me Kosovën dhe do të vazhdojnë ta thellojnë atë. Dua ta ritheksoj se Shtetet e Bashkuara janë për një Kosovë sovrane, shumetnike e demokratike dhe për t’u ri angazhuar për të mbështetur rrugën euroatlantike për Ballkanin Perëndimorë. Në këto 10 vite Kosova ka bërë hapa të mëdha përpara por ka ende për tu bërë në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përmbylljen e çështjes së kufirit me Malin e Zi dhe transformimin e Forcave të Armatosura. Ne do të punojmë përkrah Kosovës.”

 

Ndërsa presidenti Thaçi u zotua në përmbushjen e objektivave për të ecur përpara në rrugën e integrimit si dhe u shpreh i sigurt që Kosova do ta kaloje këtë javë provën e demarkacionit.

 

“E informova Mitchell se shteti i Kosovës është duke punuar që të konsolidojë shtetin e Kosovës, e informova edhe për angazhimin e të gjitha institucioneve që të përmbyllet sa më shpejt çështja e demarkacionit. Shpresoj që partnerët e koalicionit janë duke biseduar me Listën Serbe sepse askush nuk ka më arsye ta vonojë këtë proces. Folem per vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë qe do te çonte drejt nje pajtimi duke respektuar integritetin territorial. “

 

I pyetur nga gazetarët nëse gjatë vizitës së tij në serbi do t’i dorëzojë një plan të ri për Kosovën presidentit Vucic, ndihmës sekretari amerikan tha se këto janë imagjinata të mediave dhe se nuk ka një plan specifik. Ai foli edhe për ndërhyrjen ruse në Ballkan duke thënë se Moska po luan një rol destruktiv.

Wess Mitchell do të takohet edhe me kryeministrin Haradinaj e të tjerë. Ndërsa nesër do të udhëtojë për në Shkup.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *