Presidenti amerikan Donald Trump ka përshkallëzuar tarifat e mallrave për dhjetëra partnerë tregtarë të Shteteve të Bashkuara.
Në një deklaratë të bërë vonë të enjten pas firmosjes së urdhrit ekzekutiv, Trump tha se tarifat ndaj 69 vendeve do të hyjnë në fuqi më 7 gusht.
Në vendimin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë thuhet se mallrat e çdo vendi partner tregtar që nuk përfshihen në aneksin e urdhrit, do të taksohen 10 për qind bazuar në urdhrin ekzekutiv të muajit prill.
Në atë urdhër bëjnë pjesë vendi ynë, Kosova dhe Mali i Zi. Ndërsa sipas ndryshimeve të fundit, administrata Trump ka rritur tarifat për Maqedoninë e veriut në 15%, për Bosnjë e Hercegovinën në 30 përqind dhe në shifrën më të lartë prej 35% për Serbinë.
Afati i 7 gushtit nuk vlen vetëm për Kanadanë, pasi tarifa prej 35 për qind në mallrat e saj ka hyrë në fuqi menjëherë. Kryeministri kanadez, Mark Carney u shpreh i zhgënjyer, ndonëse autoritetet kanadeze kanë përmendur se shumica e produkteve nuk preken nga vendimi, për shkak të marrëveshjes tregtare SHBA – Meksikë – Kanada.
“Epo, ata duhet të paguajnë një normë të drejtë. kaq është. është shumë e thjeshtë. ata u kanë vënë tarifa shumë, shumë të larta fermerëve tanë, disa mbi 200 përqind, dhe i kanë trajtuar shumë keq fermerët tanë. ata e kanë trajtuar shumë keq vendin tonë për vite me radhë”, tha Trump.
Përmes këtyre masave, presidenti Trump synon të transformojë sistemin tregtar botëror, të cilin e konsideron të padrejtë ndaj SHBA-së.
Disa vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian, kanë arritur marrëveshje tregtare.
Në nivel botëror, vendet më të goditura nga tarifat janë Siria, Laosi dhe Mianmari me tarifa që shkojnë deri në 41 për qind.





