E mërkurë, 11 Nëntor 2026 Takohemi N'vizion deri në 06:55 Në vijim ora 06:55: 7 PA 5 Live Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

SHBA, sulme ajrore në Irak dhe Siri

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer sulme ajrore kundër milicive të mbështetura nga Irani, në zonën kufitare Irak-Siri.

 

Zyrtarët e Pentagonit sqaruan se ky urdhër erdhi nga presidenti amerikan, Joe Biden, i cili i quajti këto sulme si “mbrojtëse”. Sipas njoftimit zyrtar, raketat goditën objektet operacionale dhe depot e armatimeve në dy zona në Siri dhe një në Irak.

 

Reklamë

Vëzhguesit sirianë për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër, njoftuan se nga sulmet janë vrarë të paktën pesë luftëtarë të mbështetur nga Irani.Goditjet u kryen në përgjigje të disa sulmeve me drone, të cilat disa ditë më parë goditën lokacione jashtë kryeqytetit të rajonit gjysmë-autonom, Arbil.

 

Në të njëjtën ditë, një aleancë paraushtarake që kundërshton praninë e SHBA-ve në Irak mbajti një paradë ushtarake pranë Bagdadit, ku morën pjesë zyrtarë të lartë irakianë.

 

Sulmet ajrore amerikane ishin të dytat në rajon, të urdhëruara nga presidenti Biden, pasi edhe në shkurt të këtij viti, SHBA kreu sulme kundër objekteve të përdorura nga të njëjtat grupe.

 

Tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit u përshkallëzuan shumë në janar të vitit 2020, pasi një sulm me dron amerikan në Bagdad, i urdhëruar nga ish-presidenti Donald Trump, vrau gjeneralin e lartë iranian, Kasem Soleimani, dhe disa të tjerë.

 

 

Vazhdo të lexosh

Reklamë