Për herë të parë situata e tensionuar mes Rusisë dhe Ukrainës është diskutuar në një seancë të hapur në këshillin e sigurimit të organizatës së kombeve të bashkuara. Ambasadori rus, Vasili Nebenzia akuzoi perëndimin se po kërkon luftë me cdo kusht dhe po e imponon atë.

 

VASILY NEBENZYA

AMBASADORI RUS NE OKB

 

“Ajo që nuk kuptojmë është se ccfarë po diskutojmë këtu sot dhe pse jemi mbledhur. Trupat tona nuk janë vendosur në kufi por në territorin tonë dhe histeria e një agresioni të mundshëm ndaj Ukrainës është pakuptim. Diskutimet për luftë janë provokative në vetvete, duket sikur ju po bëni thirrje për këtë dhe doni ti bëni realitet fjalët tuaja.”

 

Diplomati i lartë rus shtoi në fjalën e tij se perëndimi nuk ka asnjë provë që të vërtetojë akuzat që ka ngritur ndërsa po sakrifikon Ukrainën për të tjera interesa.

 

“Thirrja e këshillit nga Uashingtoni është një akt krejtësisht hipokrit sepse janë pikërisht amerikanët ata që dërguan një numër rekord trupash jashtë territorit të tyre, këshilltarë, armë dhe të mos flasim pastaj për faktin që kanë vrarë qindra mijëra njerëz në vendet ku supozohej se do të sillnin paqen. Këto janë shembuj të kërcënimit të sigurisë kombëtare. Ukrainasve po ju bëhet larje truri, nuk ka asnjë kërcënim për luftë por perëndimi të vetmin qëllim ka, të dobësojnë Rusinë.”

 

Ambasadorja amerikane, Linda Tomas Grinfilld deklaroi se deklaratat e homologut rus janë të parashikueshme por veprat e Moskës janë ato që reflektojnë të vërtetën.

 

LINDA THOMAS-GREENFIELD

AMBASADORE E SHBA, OKB

 

“Gjatë muajve të fundit kemi dëshmuar agresionin rus në kufi me Ukrainën, vërtet është territori i tyre, por shumë pranë një shteti fqinj që ata e kanë pushtuar edhe më parë. Kemi ndihmuar Ukrainën me mbështetje në mënyrë që të jenë në gjendje të mbrohen. Për ne kjo e gjitha ka të bëjë me paqen dhe sigurinë, dhe mbrojtjen e tyre. Nuk është cështja SHBA dhe Rusi por është në lojë siguria e një vendi anëtar. Provokimet vijnë nga Rusia dhe nga asnjë vend anëtar në këtë organizatë. Veprimet tuaja flasin vetë dhe ne shpresojmë që të bëni zgjedhjen e duhur.”

 

Ndërkohë shefi i diplomacisë ukrainase, Dmitry Kuleba ka deklaruar se paralajmërimet për pushtim nga Rusia kanë përhapur panik në vend dhe kanë goditur rëndë ekonominë.

 

Moska i ka mohuar vazhdimisht akuzat për pushtim, duke argumentuar se lëvizja e forcave të armatosura në territorin e saj ishte një çështje e brendshme dhe nuk shqetësonte askënd tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *