Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë përplasur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara rreth dyshimeve se Siria ka përdorur sërish armët kimike në një zonë të kontrolluar nga rebelët.

 

Ambasadorja Nikki Haley, e akuzoi Moskën për bllokimin e hetimeve mbi përdorimin e mundshëm të armëve kimike nga ushtria e presidentit sirian, Bashar Al-Assad.

 

“Rusia i ka bllokuar  hetimet pavarësisht dëshmive të dukshme për dhjetëra viktima nga sulmi më i fundit qe ka ndodhur ne fundjave. Rusia gjithashtu ka vonuar miratimin e deklaratës – dënimit të vrasjes së fëmijëve sirianë me gaz klori.  Ky Këshill ka qenë i zëshëm duke kërkuar fundin e përdorimit të armëve kimike në Siri dhe ata ende vazhdojnë”.

 

Rusia, e cila vijon operacionet ushtarake në Siri, në mbështetje të Assadit, nga viti 2015, i mohoi akuzat, duke i cilësuar si shpifje.

 

“Shihet qartë se qëllimi është të akuzohet Qeveria siriane për përdorimin e armëve kimike, por asnjë autor nuk është identifikuar”, tha ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia.

 

Në një tjetër reagim departamenti amerikan i shtetit tha përmes një deklarate se Uashingtoni “është shumë e shqetësuar” pas dyshimeve te ngritura se jane përdorur arme kimike me qëllim “terrorizmin e civilëve të pafajshëm”.

 

Deklarata ve në dukje se ka prova për gjashtë sulme në 30 ditët e kaluara.

 

Lufta në Siri ka nisur në vitin 2011 dhe ka lënë të vrarë mbi 400,000 njerëz e ka zhvendosur miliona te tjere. Moska e ka mbështetur Asadin edhe në fushën e betejës duke ndërmarre sulme ajrore kundër kundërshtarëve të qeverisë siriane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *