SHBA-Rusi përplasen për Sirinë

Ndërsa Damasku dhe Moska mohojnë çdo akuze per sulmin me armë kimike në Siri, SHBA i kërkon Këshillit të Sigurimit të OKB-së të nisin një hetim për të hedhur dritë mbi ngjarjen. Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi se nuk ishte gjetur asnjë provë për sulm me armë kimike në Douma. Ndërsa shoqata mjekësore siriano-amerikane pretendon se mbi 500 persona u dërguan në spitale me simptoma qe tregojnë ekspozim ndaj agjenteve kimike.
Uashingtoni dhe Moska replikuan ashpër në mbledhjen urgjente të Këshillit të sigurimit të OKB. Ambasadori rus, Vassily Nebenzia tha se ngjarja në Duma ishte e inskenuar dhe se ndërhyrja e mundshme e ushtrisë amerikane do të kishte pasoja të rënda. E fortë ishte kundërpërgjigjja e ambasadores amerikane Niki Haley, e cila pohoi se ruset kane ne duar gjakun e fëmijëve sirianë.
Përplasja në këshillin e sigurimit të OKB-së vjen pas deklaratës së presidentit Donald Trump i cili nuk përjashtoi asnjë opsion sa i përket Sirisë.




