Presidenti rus Vladimir Putin rrëmbeu vëmendjen e politikbërësve, ekspertëve ushtarakë dhe ligjvënësve nga Uashingtoni në Berlin me deklaratën e tij të një dite më parë.

 

Putin kërcënoi botën me armët ruse me kapacitet bërthamor, si ato në shërbim, ashtu edhe ato në zhvillim, të cilat i prezantoi në fjalimin e tij gati dyorësh para ligjvënësve dhe zyrtarëve të tjerë rusë.

 

Pentagoni reagoi duke thënë se deklarata e presidentit rus për armët e reja bërthamore, nuk janë befasi për ushtrinë amerikane, e cila është e gatshme për ta mbrojtur vendin.

 

Zëdhënësi i Pentagonit, Dana Vajt tha se Moska ka kohë që po zhvillon këtë lloj armatimi dhe se kjo është përfshirë tashmë në vlerësimet e SHBA-se.

 

Nëse nuk ka nisur, një garë e re armësh është gati të nisë, thonë analistë dhe ekspertë për kontrollin e armëve.

Moska dhe Uashingtoni, që kanë rreth 93 përqind të armëve bërthamore në botë, kanë ndryshuar politikat në lidhje me arsenalin.

Putin, në fjalimin e tij, përmendi në mënyrë të veçantë Traktatin Raketor Anti-Balistik, i cili ka kufizuar aftësinë e Moskës dhe të Uashingtonit të zhvillojnë sisteme të mbrojtjes raketore.

Traktati i vitit 1972 ka qenë një nga marrëveshjet më të rëndësishme të Luftës së Ftohtë, sepse mbrojtja raketore është besuar se është destabilizuese në mënyrën se si dy vendet llogarisin strategjitë bërthamore.

 

Në vitin 2002, presidenti i atëhershëm amerikan, George  Bush, është tërhequr njëanshëm nga traktati. Putin në atë kohë ka thënë se vendimi është i gabuar, por se Moska nuk mund të bëjë gjë.

Në fjalimin drejtuar kombit, në janar, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Kongresi “do të modernizojë dhe rindërtojë arsenalin bërthamor”.

Ndërsa Putin e përshkroi arsyetimin për armët e reja kryesisht me premtimet e thyera të SHBA-së në kontrollin e armëve dhe me paranojën nga sistemet amerikane të mbrojtjes raketore.

 

Ekspertët paralajmërojnë se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara po shkojnë drejt një rruge destabilizuese dhe të panevojshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *