Subscribe

Vëllezërit Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, janë tre nga shumë pjesëtarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët u vranë në vitin 1999 nga forcat serbe.

 

Të tre vëllezërit i përkisnin batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara,  të cilët iu bashkuan luftës në Kosovë.

 

Për vrasjen e vëllezërve, të cilët ishin shtetas amerikanë,  Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, miratoi të martën një rezolutë, me të cilën i kërkohet Serbisë që të vërë para drejtësisë autoret e krimit.

 

Eshte  hera e parë që  Dhoma e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan kaloi unanimisht, një rezolutë në lidhje me vrasjet e sponsorizuara nga Serbia për tre shtetas amerikanë.

 

Rezoluta u referohet fakteve për përfshirjen e zëvendës ministrit të brendshëm të Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviç dhe Goran Radosavleviçit. Ajo përmban edhe premtimet e papërmbushura të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, për zbardhjen e vrasjeve.

 

Promotori i kësaj nisme, Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë Eliot Engel, tha  gjatë seancës se autoritetet serbe e dinë se kush janë personat përgjegjës. Nëse Serbia do që të bashkohet me perëndimin, ajo duhet të përballet me të shkuarën dhe pranojë përgjegjësinë”, theksoi Engel në fjalën e tij.

 

Ndërsa Ligjvënësi nga Nju Jorku, Lee Zeldin,  hartues i rezolutës,  tha se pas 20 vjetësh Shtetet e Bashkuara nuk kanë harruar dhe nuk do të harrojnë kurrë. Ne do të këmbëngulim që drejtësia të vihet në vend”, theksoi kongresmeni.

 

Trupat e vëllezërve Bytyçi u gjetën  në në një varrezë masive në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të kontrolluar nga njësitë që komandoheshin nga ish gjenerali i policisë serbe, Goran Radosavleviç, i njohur si Guri. Ata ishin me duar të lidhura dhe ishin qëlluar në kokë. Që nga viti 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *