Megjithëse përfshirja ushtarake amerikane në Afganistan përfundoi në fillim të kësaj jave, zyrtarët amerikanë thanë të enjten se ka ende mundësi diplomatike dhe ekonomike për të mbrojtur të drejtat e afganëve nën sundimin taleban.

Talebanët, tani janë në kontroll të plotë të aeroportit të Kabulit dhe pothuajse të gjithë Afganistanit pasi përfundimit të pranisë amerikane gati 20-vjeçare në këtë vend.

Por talebanët përballen me sfida, përfshirë kërkesat e grave të Afganistanit për respektimin e të drejtave të tyre, siç ndodhi gjatë protestës së tyre në rrugët e Heratit; dhe një thatësirë serioze që ka përfshinë vendin, duke ngritur pikëpyetje se si mund të mbijetojë ky vend pa ndihmat e konsiderueshme ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara nuk i kanë njohur talebanët si qeveri zyrtare të Afganistanit.

“Askush në qeverinë federale përfshirë, presidentin, sekretarin e mbrojtjes, komunitetin e inteligjencës, nuk thotë se talebanët janë aktorë të mirë. Ne nuk po e themi këtë. Kjo është një nga arsyet pse nuk po nxitojmë për të njohur qeverisjen e tyre. Ne do të ndjekim me vëmendje zhvillimet atje. Ne kemi në dispozicion disa opsione që mund të përdoren kundër tyre, duke përfshirë qasjen në tregun global”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Shtetet e Bashkuara po punojnë për rihapjen e aeroporteve afgane dhe ndryshimin e mënyrës së dërgimit të ndihmës së tyre, duke u përpjekur të gjejnë një rrugë për të ndihmuar drejtpërdrejt afganët. Ndihma e qeverisë amerikane për Afganistanin është duke u rishqyrtuar, tha të enjten Departamenti Amerikan i Shtetit, duke theksuar se ajo do të varej nga formimi i një qeverie të re afgane.

“Në lidhje me qëndrimin tonë për ndihmat, ne do të monitorojmë veprimet e qeverisë së re afgane, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të banorëve të Afganistanit, përfshirë ato të grave, vajzave dhe pakicave, si dhe nëse qeveria e tyre e re do të jetë gjithëpërfshirëse, e angazhuar në luftën kundër terrorizmit dhe një qeveri që respekton normat universale ndërkombëtare”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Provinca afgane e Panjshirit, ku luftëtarët e rezistencës të udhëhequr nga Ahmad Massoud kanë luftuar ashpër ditët e fundit, nuk ka rënë ende në duart e talebanëve. Por Pentagoni tha se Shtetet e Bashkuara nuk po ndihmojnë forcat e rezistencës.

“Misioni ushtarak amerikan në Afganistan ka përfunduar”, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

Por në një bazë të Forcave Ajrore në Gjermani, ushtria amerikane ka intensifikuar përpjekjet për të kontrolluar biografinë e të evakuuarve afganë në mënyrë që ata të jenë në gjendje të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, tha Pentagoni të enjten.

“Ne jemi gati të arrijmë në një pikë ku mund të përpunojmë kërkesat e 500 ose 600 afganëve në ditë, dhe ndoshta së shpejti do të kemi fluturime me 2,500 deri në 3,000 afganë në ditë”, tha Tod Walters, komandant i forcave amerikane në Evropë.

Nga rënia e Kabulit deri në fluturimin e fundit ushtarak më 31 gusht, Shtetet e Bashkuara thonë se kanë evakuuar 124,000 persona. Por mijëra të tjerë kanë mbetur në Afganistan, të frikësuar nga veprimet hakmarrëse të talebanëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *