Komandantët ushtarakë të Shteteve të Bashkuara në Paqësor kanë ndërtuar një program kompjuterik, që mund të parashikojë se si do të reagojë qeveria kineze ndaj veprimeve të SHBA-së në rajon, si për shembull ndaj shitjeve ushtarake, aktivitetit ushtarak të mbështetur nga SHBA-ja dhe madje edhe vizitava nga anëtarët e kongresit në pikat e nxehta si Tajvani.

 

Zëvendës Sekretarja e Mbrojtjes Kathleen Hicks u informua për instrumentin e ri gjatë një vizite në Komandën e Shteteve të Bashkuara për Indo-Paqësorin në Hawaii të martën.

 

“Me rrezikun e konfliktit dhe sfidave në rajon, shohim nevojën për të zgjeruar gamën e treguesve, duke i bashkuar ata dhe më pas duke kuptuar ndërveprimin e kërcënimeve”, tha zonja Hicks në një intervistë për agjencinë Reuters në bordin e një avioni ushtarak.

 

Programi përllogarit “tensionet strategjike”, tha një zyrtar i mbrojtjes. Ai analizon të dhënat që nga fillimi i vitit 2020 dhe vlerëson aktivitete të rëndësishme që kanë ndikuar në marrëdhëniet SHBA-Kinë.

 

 

Sistemi do të ndihmojë Pentagonin të parashikojë nëse veprime të caktuara do të provokojnë një reagim kinez.

 

Në tetor, ushtria kineze dënoi Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë për dërgimin e një luftanijeje përmes ngushticës së Tajvanit, duke thënë se po kërcënonin paqen dhe stabilitetin në rajon.

 

Ky incident dhe të tjerë si ai, kanë nxitur kërkesën për instrumentin e ri, tha zyrtari amerikan, për t’u siguruar që Shtetet e Bashkuara të mos e provokojnë pa dashje Kinën me veprimet e tyre.

 

Megjithëse marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë në një pikë të ulët, programi ofron një pamje të një sërë aktiviteteve si vizitat e anëtarëve të kongresit në Tajvan, shitjet e armëve për aleatët në rajon, ose kur disa anije amerikane lundrojnë në Ngushticën e Tajvanit dhe se si ato mund të provokojnë një reagim të madh, ose të padëshiruar kinez./ Voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *