Aplikimi zyrtar i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është mirëpritur në Beograd. Presidenti Alexandër Vuçiç po diskuton çështjen në këshillin e sigurisë kombëtare ndërsa më herët ka deklaruar se Prishtina, me këtë hap, ka shkelur marrëveshjen e Uashingtonit.

 

Duke iu përgjigjur presidentit serb, Departamenti Amerikan i Shtetit ka deklaruar se Kosova dhe Serbia janë shtete sovrane, të cilat kanë të drejtë të zgjedhin vetë prioritetet e tyre për politikën e jashtme.

 

Në shtator të vitit 2020, dy vendet kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit, sipas së cilës, Kosova ka pranuar një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia ka rënë dakord për një moratorium, po ashtu njëvjeçar, mbi fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës si shtet.

 

Por afati i këtij zotimi tashmë ka përfunduar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *