Një ditë pasi pranoi të mbajë një takim historik me liderin koreano-verior, Kim Jong Un, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump është shprehur optimist se takimi do të jetë një gjë e mirë për të gjithë botën.

 

Me anë të një postimi në Twitter, kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi se gjithashtu po përgatitet një marrëveshje me Korenë e Veriut.

 

“Marrëveshja me Korenë e Veriut po përgatitet dhe nëse arrihet, do të jetë një marrëveshje e mirë për botën. Koha dhe vendi i takimit mbeten për t’u caktuar.”

 

Mediat amerikane shkruajnë se presidenti Trump nuk u këshillua me administratën e tij mbi takimin me liderin komunist.

 

Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson tha se Trump e ka marrë vetë vendimin për takimin.

 

Kthesa historike e Koresë së Veriut pritet të finalizohet në muajin maj. Ende nuk ka asnjë informacion se ku dhe në cilën datë të mbahen bisedimet.

 

Konfirmimi nga ana e Trump pas takimit të tij me zyrtarët e Koresë së Jugut në Uashington, është një hap i madh përpara në zgjidhjen e një ngërçi 70 vjeҫar mes dy vendeve.

 

Takimi vjen pas tensioneve të vazhdueshme dhe një retorike të ashpër mes dy shteteve.

Megjithatë mbetet për t’u parë se çfarë do të sjellë përballja e parë e Trump me Kim Jong Un.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *