Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr nga Traktati ndërkombëtar 18-vjeçar i Qiejve të Hapur që lejon fluturime survejimi mbi vendet e tjera.

Presidenti Donald Trump deklaroi se ky vendim është marrë për shkak se Rusia po e shkel atë.

Kreu i shtëpisë së bardhë vuri në dukje se kishte një mundësi që një marrëveshje e re të mund të arrihej në një datë të ardhshme.

DONALD TRUMP

PRESIDENT I SHBA

“Ekziston një shans shumë i mirë që ne të bëjmë një marrëveshje të re ose do të bëjmë diçka për ta vendosur atë marrëveshje përsëri. Por, sa herë që ka një marrëveshje me të cilën një palë tjetër nuk pajtohet apo kur është një marrëveshje dypalëshe të cilës nuk i përmbahen ,ne tërhiqemi.”

Traktati u ka mundësuar 35 vende të kryejnë fluturime përgjimi mbi territorin e njëri-tjetrit për të parë instalimet ushtarake, një përpjekje që synon paqeruajtjen ndërkombëtare.

Por, Shtetet e Bashkuara pretendojnë se Moska ka shkelur traktatin duke ndaluar fluturimet mbi qytetin e Kaliningradit, në Detin Baltik dhe kufirin jugor të Rusisë pranë Gjeorgjisë; të dyja këto janë të lejuara sipas marrëveshjes.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper i tha Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit në mars se Rusia ka “mashtruar për shumë vite”. Por Rusia e ka mohuar shkeljen e traktatit.

Tërheqja nga Traktati i Qiejve të Hapur është lëvizja e fundit e Presidentit Donald Trump gjatë presidencës së tij për të nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshjet ndërkombëtare të miratuara nga presidentët e mëparshëm që ai i konsideron të padrejta ndaj interesave amerikane.

Vitin e kaluar, Uashingtoni u tërhoq nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme me Rusinë, dhe më herët hoqi dorë nga marrëveshja ndërkombëtare e kontrollit të klimës në Paris, një traktat tregtie me vendet e Paqësorit dhe një marrëveshje me Iranin për të kufizuar zhvillimin e saj të armëve bërthamore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *