Qeveria e Shteteve të Bashkuara konfiskoi të hënën në Spanjë një jaht madhështor në pronësi të një oligarku me lidhje të ngushta me presidentin rus. Kjo është lëvizja e parë e ndërmarrë në kuadrin e sanksioneve të qeverisë amerikane për të konfiskuar mjetet e mëdha detare dhe prona të tjera të kushtueshme që u përkasin elitave ruse.

 

Garda Civile e Spanjës dhe agjentë federalë amerikanë hipën në bordin e jahtit të rimorkuar në Marina Real, në portin Palma de Majorka, që shërben si qendra e Ishujve Balearikë të Spanjës në Detin Mesdhe. Gazetarët e agjensisë së lajmeve Associated Press panë nga afër në vendndodhje policinë që hynte dhe dilte nga jahti gjatë mëngjesit të së hënës.

 

Operacioni i përbashkët për konfiskimin e jahtit, me pjesëmarrje të Gardës Civile të Spanjës, FBI-së dhe hetuesve të Departamentit amerikan të Sigurisë, u zhvillua me kërkesën e autoriteteve amerikane, u shpreh Garda Civile e Spanjës.

 

Një burim në Gardën Civile i tha agjensisë së lajmeve Associated Press se jahti i ndaluar quhet Tango, është 78 metra i gjatë, mbart flamurin e Ishujve Cook, dhe vlerësohet në rreth 120 milionë dollarë, sipas Superyachtfan.com, një faqe në internet e specializuar për varkat më luksoze të botës. Personi që bisedoi me gazetarët kërkoi të ruhet anonimeti i tij, për shkak se nuk ishte i autorizuar për t’u cituar në artikuj të shtypit.

 

Jahti është ndër asetet e lidhura me Viktor Vekselbergun, një miliarder dhe aleat i ngushtë i Presidentit rus Vladimir Putin. Ai drejton Grupin Renova me seli në Moskë, një konglomerat i metalurgjisë, minierave, teknologjisë dhe aktivitete të tjera, sipas dokumentave të Departamentit amerikan të Thesarit. Të gjitha asetet e zotit Vekselberg në Shtetet e Bashkuara janë tashmë të ngrira dhe kompanive amerikane u ndalohet të bëjnë biznes me të apo me entitetet e tij.

 

Megjithëse ndaj zotit Vekselberg nuk janë vendosur sanksione nga Bashkimi Evropian, ai është nën hetim në Shtetet e Bashkuara për shmangie të mundshme të taksave, pastrim parash dhe falsifikim dokumentash me qëllim fshehjen e pronësisë së jahtit Tango, u shpreh në një deklaratë Garda Civile e Spanjës.

 

Kjo është hera e parë që qeveria amerikane ka konfiskuar jahtin e një oligarku që kur Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland dhe Sekretarja e Thesarit Janet Yellen krijuan grupin e punës REPO, për elitat ruse, palët e treta dhe oligarkët, në kuadrin e zbatimit të sanksioneve të vendosura pasi Rusia sulmoi Ukrainën në fund të shkurtit.

 

Zoti Vekselberg ka lidhje të hershme me Shtetet e Bashkuara. Ai ka patur për një periudhë kohore edhe kartën jeshile, dokumentin e qëndrimit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara, si dhe shtëpi në Nju Jork dhe në Konektikat. Biznesmeni i lindur në Ukrainë krijoi pasurinë e tij nëpërmjet investimeve në industritë e aluminit dhe karburanteve gjatë epokën pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

 

Zoti Vekselberg u mor në pyetje edhe gjatë hetimeve të prokurorit të posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 dhe ka punuar nga afër me kushëririn e tij amerikan, Andrew Intrater, i cili drejton firmën e investimeve Columbus Nova, në Nju Jork.

 

Zotërinjtë Vekselberg dhe Intrater u vendosën në qendër të vëmendjes gjatë hetimeve të prokurorit Mueller pasi avokati i aktores të filmave pornografikë Stormy Daniels publikoi një dokument ku pretendohej se për të siguruar heshtjen e saj, 500 mijë dollarë ishin transferuar nëpërmjet firmës Columbus Nova tek një kompani guackë e krijuar nga avokati personal i ish-Presidentit Donald Trump, Michael Cohen. Firma Columbus Nova mohoi që zoti Vekselberg të ketë patur ndonjë rol në pagesat për zotin Cohen.

 

Zoti Vekselberg dhe zoti Intrater u takuan me zotin Cohen në Kullën Trump, një ndërsa disa takime të zhvilluara mes anëtarëve të rrethit të brendshëm të ish-Presidentit Trump dhe përfaqësuesve të elitave ruse gjatë fushatës së vitit 2016 dhe tranizicionit të kalimit të pushtetit./ Voa

Leave a Reply

Your email address will not be published.