E diel, 8 Nëntor 2026 Takohemi N'vizion deri në 07:00 Në vijim ora 07:00: Lajme Ora 7:00 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

SHBA kërcënon me sulme të reja

Në mbledhjen e 5-të të jashtëzakonshme për Sirinë, brenda një jave, Këshilli i Sigurimit i OKB refuzoi kërkesën ruse për të dënuar sulmet ajrore të një dite më parë në Siri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Franca, tashmë po këmbëngulin për një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund programit sirian të armëve kimike. Me një rezolutë të re, të udhëhequr nga Franca, diplomatët kanë bërë thirrje për një hetim të pavarur. Ambasadori francez në Kombet e Bashkuara, Francois Delattre, tha se programi sirian duhet të çmontohet në një mënyrë të verifikueshme dhe të pakthyeshme.

 

“Kur urdhëroi sulmin kimik më 7 prill, regjimi sirian e dinte plotësisht atë që po bënte. Edhe një herë, donte të provonte kufirin e tolerancës së bashkësisë ndërkombëtare dhe e gjeti atë. Nuk mund ta tolerojmë më përdorimin e armëve kimike që paraqesin rrezik të menjëhershëm për popullin sirian dhe për sigurinë tonë kolektive.”

 

Reklamë

Ndërsa Rusia ka dënuar sulmet e përbashkëta amerikano-britaniko-franceze si një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe si një veprim huliganësh.

 

“Disa sulme janë kryer kundër qendrës kërkimore shkencore në Barzah dhe Jamraya. Ekspertët nuk gjetën ndonjë gjurmë aktiviteti që do të ishte në kundërshtim me konventën e armëve kimike. Institucionet shkencore në Siri përdoren vetëm për veprimtari paqësore që kanë për qëllim rritjen e efektivitetit të aktivitetit ekonomik të Sirisë. Ky është huliganizëm në marrëdhëniet ndërkombëtare.”

 

Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres kërkoi nga vendet që të shmangin veprimet që do të përshkallëzojnë situatën në Siri dhe do të përkeqësojnë vuajtjet e popullit të saj.

 

“Si Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, është detyra ime t’u kujtoj Shteteve Anëtare se ekziston një detyrim, veçanërisht kur merret me çështjet e paqes dhe sigurisë, për të vepruar në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe me të drejtën ndërkombëtare në përgjithësi. Theksoj nevojën për të shmangur daljen nga kontrolli të situatës.”

 

Ambasadorja e SHBA, Nikki Haley mbrojti bashkëpunimin e përbashkët me Francën dhe Britaninë e Madhe, duke shprehur besimin se sulmet ajrore kishin gjymtuar programin e armëve kimike të Sirisë.

 

“Me veprimin ushtarak të djeshëm, mesazhi ynë ishte i qartë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të lejojnë që regjimi i Asadit të vazhdojë të përdorë armë kimike. Në një komunikatë që pata me presidentin Donald Trump mora konfirmimin e tij se jemi gati të sulmojmë sërish nëse Siria vazhdon me programin e saj të armëve kimike.”

 

Kjo valë sulmesh ishte më e madhja ndonjëherë ndaj qeverisë së Presidentit sirian Bashar Al-Assad nga fuqitë perëndimore, në 7 vitet e luftës civile në Siri. Ushtarakët amerikanë raportuan se 76 raketa goditën qendrën kërkimore ‘Barzah’ të zhvillimit të armëve kimike pranë Damaskut. Më shumë se 30 raketa të tjera shkatërruan dy objektivat e tjerë, depon dhe bunkerin e armëve kimike në afërsi të qytetit të Homsit.

Vazhdo të lexosh

Reklamë